Balerina dhe ish-fituesja e Big Brother VIP 5, Selin Bollati ka zbuluar më shumë për projektet e reja dhe të ardhmen e saj të afërt në botën e spektaklit, ku përfshihet rikthimi i saj në Top Channel.
Në një intervistë të dhënë në emisionin “Ftesë në 5”, Selin tregoi se këtë vit do të jetë pjesë e emisionit “Goca dhe Gra”, si një prej bashkëprezantuesve të programit. Ajo është shprehur se ky rikthim ka qenë pjesë e ëndrrave të saj që kur ka qenë fëmijë, duke mos zbuluar më tej detaje në lidhje me këtë hap të rëndësishëm në karrierën e saj.
“Ka një rikthim dhe ka në vendin ku Selini i vogël e ka ëndërruar dhe nuk e ka menduar që do të vinte kaq shpejt. Top Channel është një televizion shumë i madh, ka vend për të gjithë ëndërrimtarët, njerëzit e rinj që kanë vizion dhe duan të zhvillohen.
Mendoj që është rasti im. Top Channel më ka hapur dyert, unë do jem në një nga programet më të bukura. Selin këtë sezon do ta shihni në “Goca dhe Gra”. Një nga risitë e këtij sezoni është që unë do jem aty. Kaq për momentin”, u shpreh Selin.





