“Ndjej keqardhje për këtë që ka ndodhur, jam munduar ta parandaloj”, ka deklaruar Jeton Sylaj në seancën dëgjimore, ku Gjykata Themelore në Pejë i caktoi masën e paraburgimit nën dyshimin për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt e ka kundërshtuar paraburgimin, duke thënë se ka një fëmijë 12-vjeçar që ka nevojë për kujdesin e tij. Ai ka deklaruar gjithashtu se dokumentet e udhëtimit i janë marrë nga organet e hetuesisë ose nga e ndjera.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj Sylajt janë të hapura gjashtë raste penale, katër prej tyre të vitit 2026. Prokurori Argzon Hasi ka vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes dhe ka kërkuar caktimin e paraburgimit.
Në anën tjetër, avokati Gani Kelmendi ka kundërshtuar kërkesën, duke pretenduar se klienti i tij nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj Arlindës. Ai ka propozuar që Sylajt t’i caktohet një masë alternative.
Në vendim përmendet edhe deklarimi i Arlinda Zekajt në Polici, natën kur humbi jetën, kur ajo kishte thënë: “A duhet me më vra mua Jetoni që ju policia atëherë ta arrestoni shizofrenin?” Gjykata e ka vlerësuar të bazuar kërkesën e Prokurorisë, ndërsa kundër vendimit lejohet ankesë brenda 48 orëve.




