Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vlorë pasi ëhtë përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm një hotel në zonën e Lungomares, i cili ka shkaktuar plagosjen e disa pushuesve.
Paraprakisht raportohet se flakët kanë përfshirë fillimisht lokalin, katin e parë të godinës, e më pas janë përhapur deri në katin e dytë, ku ndodhej hoteli, si dhe në fasadën e pallatit.
Dyshohet se shkak i zjarrit janë bërë dy frigoriferët në hyrje të lokalit që raportohet të kenë pësuar defekt në qarkun elektrik.
Ndërsa raportohet se për të shpëtuar nga situata dramatike, pasi flakët po merrnin çdo gjë përpara dhe tymi kishte mbuluar hotelin, një pjesë e personave që ndodheshin në godinë kanë dalë nga dritaret, duke u hedhur prej tyre.
Pjesa më e madhe e godinës thuhet se është shkrumbuar thuajse plotësisht. Ndërsa në vendngjarje kanë dalë menjëherë autoritetet të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit.




