Mbrëmjen e kësaj të mërkure, qielli mbi Xhaminë e Namazgjasë u ndriçua nga një shfaqje mahnitëse dronësh, e cila tërhoqi vëmendjen e qytetarëve dhe besimtarëve myslimanë. Përmes dritave dhe formave të krijuara në ajër, mbi kryeqytet u projektua Hëna e re (Hilali), simboli i nisjes së muajit të bekuar të Ramazanit, si dhe vetë xhamia.
Ky moment simbolik shënon fillimin e një periudhe të shenjtë, reflektimi dhe bashkimi familjar për myslimanët në Shqipëri dhe më gjerë. Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit islamik dhe konsiderohet muaji më i shenjtë për besimtarët.
Sipas llogaritjeve astronomike, Ramazani 2026 (1447 Hixhri) nis më 19 Shkurt 2026 për Shqipërinë dhe do të përfundojë më 20 Mars 2026, duke zgjatur rreth 30 ditë. Dita e parë e Bajramit të Madh (Fitër Bajrami) pritet të jetë më 20 Mars 2026.
Çfarë bëjnë besimtarët gjatë Ramazanit?
Gjatë këtij muaji, muslimanët praktikojnë agjërimin (nga agimi deri në perëndim), lutjet e rregullta dhe ato të natës (Taravih), bamirësinë dhe leximin e Kuranit. Është një periudhë për vetëpërmirësim, durim dhe solidaritet me të tjerët.
Në trevat shqipfolëse, Ramazani lidhet me tradita të bukura familjare:
Syfyri në familje-Zgjimi herët për të ngrënë ushqim para agimit.
Iftari bashkë-Çelja e agjërimit me hurma, ujë dhe ushqime tradicionale.
Vizitat familjare-Takime dhe iftare me të afërm dhe miq.
Namazi i Teravive-Lutjet e natës në xhami.




