Ditën e djeshme, në Itali, janë arrestuar dy vëllezërit Artur dhe Arben Mëhilli, të cilët kanë vrarë me armë zjarri personin që kishte vrarë vëllanë e tyre, Sokol Mëhillin, i cili është babai i ish-konkurrentit të “Big Brother VIP”, Stenaldo.
Ky i fundit, gjatë një rrëfimi në “Big Brother”, ka treguar se i ati, Sokoli, është vrarë në një mënyrë të poshtër, pasi sipas tij i dha një përqafim autorit para se të qëllohej për vdekje.
Mes emocionesh të forta, Stenaldo është shprehur se trimat vriten gjithmonë nga frikacakët:
“Kam lindur në një qytet ku nuk kam jetuar kurrë, përveç muajit të parë të jetës sime, derisa im atë, në qershor të po atij viti, ndërroi jetë. I vrarë në një mënyrë të poshtër, në atë vit të rëndë për të gjithë shqiptarët, që na ka bërë të humbasim më shumë se çdo herë në historinë tonë të brishtë”, tha ai.
“U vra nga dikush pasi atij i dha një përqafim dhe i ktheu kurrizin për të vazhduar rrugën e tij. Dhe kjo është arsyeja pse unë gjithmonë kam thënë që në këtë botë të gjithë trimat vriten nga frikacakët.”
Po ashtu, ish-konkurrenti i “BBVIP” ka theksuar se momenti kur ka mësuar të vërtetën nuk ka qenë një çast i vetëm dramatik për të:
“Kur njeriu rritet me një humbje të tillë, nuk ka më një moment dramatik në jetën e tij, nuk ka një çast kur ti e mëson; ti thjesht e di që, ndryshe nga fëmijët e tjerë, babai yt nuk është aty. Ajo që dikush mund ta quajë dramë, si humbja e shikimit, është prapë një përjetim që i bie për pjesë mamasë dhe familjes nga të dyja anët, si nga ana e nënës ashtu edhe e babait, Sokolit, sepse shikimi më humbi relativisht shumë shpejt. Familja e kuptoi këtë kur unë isha 6 muajsh”, deklaroi ai.
Dy vëllezërit, Artur dhe Arben Mëhilli, u arrestuan ditën e sotme, pasi Gjykata e Lushnjës i ka dënuar në mungesë me 32 vite burg në total, për vrasjen e të riut Rezar Metaj në Lushnjë, në vitin 1999, si akt hakmarrjeje për vrasjen e familjarit të tyre.




