Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me zhdukjen e Bleona Matës, pas dëshmive të publikuara së fundmi në emisionin Pa Gjurmë në Report TV, ku u trajtua një pistë e re hetimi që më pas u hodh poshtë nga dëshmitë e personave të përfshirë.
Sipas informacioneve të bëra publike, Bleona Mata dyshohej se ishte rrëmbyer dhe mbajtur peng për rreth tre muaj në zonën e Llakatundit, në Vlorë. Kjo pistë u forcua fillimisht nga deklarime dhe materiale të reja të mbërritura në redaksi.
E ftuar në studio, nëna e Bleonës, Bukurie Veizi, u përball me dëshmi të reja dhe me një fotografi të një vajze që dyshohej se mund të ishte vajza e saj. Ajo deklaroi se tiparet fizike nuk përputheshin plotësisht, por se dyshimet e saj vazhdonin të ishin të përqendruara te e njëjta familje.
Odeta Dume: Për të qenë e sinqertë, pas atij informacioni më kanë mbërritur shumë telefonata dhe e-mail-e nga zona e Picarit. Të gjithë flasin për një histori të tillë, për një fëmijë që ka ardhur në atë fshat. Por unë nuk jam askushi të ngre gishtin ndaj teje apo të të akuzoj. Këtë e bën policia, e verifikon policia. Unë nuk akuzoj askënd.
E akuzuara: Fare. Të më çosh ku të duash, këto që të them sot, t’i them edhe nesër. Vajza që ka qenë në Picar ka qenë vajza e kunatës. Ajo ishte e martuar në Kosovë dhe më pas iku në Greqi. Ka ikur nga mali, si shumë njerëz atëherë, dhe nuk mund ta merrte vajzën me vete. Nuk jemi trafikantë.





