Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka sqaruar ditën e sotme ligjin për barazinë gjinore, i cili u miratua ditën e djeshme në Kuvend. Ajo u shpreh se ligji nuk synon të hapë rrugë për identitete të shumëfishta, ashtu sikurse pretendon opozita dhe shoqëria civile.
Luarasi theksoi se vendet anëtare të Bashkimit Europian që e kufizojnë konceptin e gjinisë vetëm në dy seks biologjik nuk përbëjnë shembuj për t’u ndjekur, pasi veprime të tilla shpesh janë në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës së BE-së.
Sipas saj, disa shtete kanë përballuar procedura shkeljeje dhe paralajmërime për sanksione financiare nga Komisioni Evropian, për shkak të këtyre kufizimeve, duke treguar se nuk mund të konsiderohen modele pozitive.
“Janë përmendur disa here nga kolege te opozitës ne komisione shembuj nga disa vende europiane. Është e vërtetë që 2-3 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, kanë miratuar apo propozuar ndryshime kushtetuese që kufizojnë konceptin e gjinisë vetëm në “dy sekse biologjike”. Por, këto nuk janë shembuj për t’u ndjekur nga një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, pasi janë shkelje të parimeve themelore të së drejtës së Bashkimit Evropian.
Ashtu siç është e vërtetë se Komisioni Evropian ka hapur procedura shkeljeje ndaj disa prej këtyre shteteve dhe ka paralajmëruar sanksione financiare sipas nenit 260 të Traktatit për Funksionimin e BE-së. Nëse shtetet refuzojnë të korrigjojnë shkeljet, ato rrezikojnë gjoba ditore, pezullim të fondeve të BE-së, apo përjashtim nga programet e bashkëpunimit. Pra, nuk kemi të bëjmë me “shembuj të mirë” që duhen ndjekur, por me shkelje që po diskutohen në gjykatat evropiane si cenim i parimeve themelore të së drejtës evropiane”, u shpreh Luarasi.




