Këngëtarja e njohur shqiptare, Albina Kelmendi, ka ndarë së fundmi një histori personale që ka prekur shumë nga ndjekësit e saj. E ftuar në emisionin Prive nga Liberta Spahiu, Albina ka treguar një moment të vështirë që përjetoi vitin e kaluar, një përballje me shëndetin që e bëri të ndryshojë perspektivën mbi jetën.
Ajo rrëfeu se iu desh të kalonte nëpër një ndërhyrje kirurgjikale në gji, e cila, fatmirësisht, përfundoi me lajme të mira nga mjekët.
“Ne shpesh i kushtojmë rëndësi vetëm karrierës dhe angazhimeve të përditshme, por harrojmë se shëndeti është gjëja më e rëndësishme. Për fat të mirë, analizat dolën mirë dhe nuk kishte asgjë serioze, por operacioni ishte i nevojshëm,” – u shpreh Albina.
Kjo përvojë i ka shërbyer si një zgjim i madh, siç e përshkruan ajo:
“E kuptova që nuk mund të jap asgjë tek të tjerët nëse nuk kujdesem më parë për veten. Sot i bëj rregullisht të gjitha analizat dhe kontrollat. Mësova të mos e shtyj më kujdesin për shëndetin tim.”
Me sinqeritetin dhe guximin për të folur hapur, Albina përcolli një mesazh të rëndësishëm, veçanërisht për gratë:
“Kujdesi për shëndetin nuk është luks, është domosdoshmëri.”
Ky rrëfim vjen në muajin e sensibilizimit për kancerin e gjirit, duke kujtuar të gjithë se kontrolli i rregullt dhe vëmendja ndaj shëndetit nuk duhet të neglizhohen.





