Duhet ta pranojmë që së fundmi kemi parë një ndër sfilatat më interesante.
Arsyeja? Një sfilatë e organizuar me veshjet e fesë myslimane për gra dhe fëmijë. Por sigurisht që nuk qëndron vetëm kaq.
Kjo sfilatë e organizuar nga stilistja e njohur Brixhida Muça u organizua për një nismë shumë të rëndësishme humanitare.
Sfilata që ishte nën sloganin “Lumturo dhimbjen” kishte si qëllim ndihmën ndaj fëmijëve të prekur me kancer të spitalit “Nënë Tereza”.
Stilistja Brixhida Muça e ka nisur këtë nismë nga historia prekëse e djalit të saj. Ajo u shpreh se fëmijët që vuajnë nga kanceri po lihen pas dore dhe nuk po marrin ndihmën e duhur në spitale. Prandaj nëpërmjet kësaj sfilate ka dashur të ndërgjegjësojë njerëzit, ku të ardhurat e saj do dërgohen për të ndihmuar familjet e fëmijëve me kancer.
E ftuara speciale e kësaj sfilate ishte gjithashtu dhe këngëtarja e njohur Çiljeta Xhilaga, e cila siç dihet tashmë është një predikuese e fesë myslimane.
Çiljeta u shfaq e veshur me një fustan nusërie në sfilatë, e cila ishte e mbuluar, ndërsa në kokë mbante një kurorë madhështore.





