Vetëm tri ditë para se të vritej, Arlinda Sylaj Zekaj u kishte dërguar një letër institucioneve në Pejë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe duke paralajmëruar për rrezikun me të cilin, sipas saj, po përballej.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, shkruante 49-vjeçarja në letrën drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë. Dokumenti mban vulën e pranimit të datës 22 tetor.
Në letër, Arlinda kërkonte zbatimin e një vendimi gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, të cilët, sipas saj, nuk kishin përmbushur detyrat e tyre. Ajo pretendonte se institucionet po ia kalonin përgjegjësinë njëra-tjetrës, ndërsa rreziku për jetën e saj vazhdonte.
Megjithatë, tri ditë pas dërgimit të letrës, më 25 tetor, 49-vjeçarja u gjet e vrarë në shtëpinë e saj, në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet kunati i saj.
Sipas Policisë së Kosovës, autoritetet ishin njoftuar për një rast të dhunës në familje dhe Arlinda ishte shoqëruar në stacionin policor për intervistim. Bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, ndërsa ajo ishte dërguar në shtëpi me vullnetin e saj, sipas versionit të Policisë.
Rreth orës 21:10, autoritetet morën njoftimin se 49-vjeçarja ishte gjetur pa shenja jete. Sipas Policisë, dyshohet se vdekja e saj ishte shkaktuar nga goditjet me një mjet të fortë.




