Ikona e këngës shqiptare dhe “Nderi i Kombit”, Vaçe Zela, u nda nga jeta 12 vite më parë, duke lënë pas një trashëgimi të pavdekshme në muzikën shqiptare.
Ajo mbylli sytë përgjithmonë më 6 shkurt 2014 në Bazel të Zvicrës, pasi zemra e saj ndaloi së rrahuri në moshën 75-vjeçare. Zëri i saj unik dhe këngët që shënuan breza vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e publikut.
Në këtë përvjetor, vajza e saj, Irma Rodiqi e ka kujtuar me mall të ëmën, duke shprehur dhimbjen dhe mungesën që koha nuk e ka zbehur.
Postimi i vajzës së Vaçe Zelës, Irma Rodiqi:
Për Ty, Mam
Kënga që s’do të heshtë kurrë
12 vite pa ty, Mam,
e prapë ndjehet si dje.
Një çast, një frymë, një rrahje qerpiku –
dhe gjithçka ndryshoi.
Sa sekonda ka një jetë?
Ne besojmë: pafund.
Por mjaftoi ajo, një e vetme,
sekonda që të mori prej meje.
Më ndau nga buzëqeshja jote,
nga zëri yt që më thërriste veç «shpirt»,
nga duart e tua të bukura
që flisnin pa fjalë.
Që nga ajo ditë,
bota më duket kaq bosh…
Por ti nuk u trete në heshtje, Mam.
Ti je këtu – gjithmonë:
në mendimet e mia,
në kujtime që digjen si qirinj,
në dritën e syve të mi.
Në çdo drithërimë zemre,
në çdo jehonë mali,
aty ku zëri yt kumbon
si nga një botë tjetër.
Kënga jote,
që dikur drithëronte skenat e zemrat,
tani endet në eter –
e padukshme,
e pavdekshme.
Ti ishe, je dhe do të mbetesh
dashuria ime më e madhe,
ajo që as koha nuk e zbeh,
as vdekja nuk e shuan.
Sepse ti jeton me mua –
në çdo varg,
në çdo tingull,
në frymën që marr.
Të dua pafund, Mam.
Sot… e përjetë.





