Ylli me origjinë shqiptare dhe famë botërore, Bebe Rexha, ka bërë së fundmi një udhëtim pas në kohë duke ndarë me ndjekësit e saj një imazh mjaft të ëmbël nga fëmijëria. Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtarja ka hapur arkivat e vjetra, duke treguar një version krejtësisht ndryshe të vetes, shumë kohë përpara se të pushtonte skenat më të mëdha të muzikës pop.
Në foton e vjetër, Bebe shfaqet si një vajzë e vogël me flokët e kapur lart, e veshur thjeshtë me një triko të kuqe në rrugët e Nju Jorkut. “Gjithmonë kam qenë ajo vajzë,” ka shkruar artistja krahas fotos, duke treguar se karakteri dhe karizma e saj e kanë shoqëruar që në hapat e parë të jetës.
Postimi ka ngjallur menjëherë interes të madh te fansat dhe ka marrë mijëra pëlqime e komente brenda pak minutave. Përveç elogiandjes për ëmbëlsinë e saj, ranë në sy edhe komentet e ndjekësve shqiptarë, të cilët me shaka vunë re një detaj që i bashkon shumë prej tyre:
“Pse çdo fëmijë shqiptar ka një foto që duket ekzaktësisht kështu?” shkroi një ndjekës, duke u pasuar nga komente të tjera si “O zot, një kukull”, duke iu referuar stilit tipik të rritjes së fëmijëve në mërgim gjatë atyre viteve.
Sot, ajo vajza e vogël në foto është shndërruar në një nga kantautoret dhe këngëtaret më të njohura të industrisë globale të muzikës. Siç e kujtuan edhe fansat në komente, Bebe Rexha është emri pas shumë hiteve që kanë kryesuar toplistat botërore, jo vetëm duke kënduar, por edhe duke shkruar tekste për artistë të përmasave si Eminem, Rihanna e shumë të tjerë.




