Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Krime të Rënda, ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj.
Me burgim të përjetshëm është dënuar edhe i akuzuari tjetër Granit Plava.
Ndërkaq, i akuzuari i tretë Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vjet burgim.
Si ndodhi ngjarja
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës, ku Liridona Ademaj u qëllua për vdekje me armë zjarri teksa ndodhej në automjet së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre.
Hetimet kanë zbuluar se vrasja dyshohet të ketë qenë e planifikuar nga Murseli, me motiv përfitimin nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas akuzës, Kokalla ka ndërmjetësuar kontaktin mes Murselit dhe Plavës, ky i fundit i identifikuar si autor i drejtpërdrejtë i krimit.
Ekspertiza mjekoligjore ka konfirmuar se viktima është qëlluar në kokë nga një distancë shumë e afërt, prej 2 deri në 5 centimetra. Prokuroria ka bërë të ditur se Plava e kishte kryer vrasjen kundrejt pagesës prej 30 mijë eurosh.
Megjithatë, gjatë procesit gjyqësor, Kokalla ka deklaruar se marrëveshja reale kishte qenë për 250 mijë euro, por palët ishin dakorduar që në polici të përmendej një shumë më e ulët.
Prokurorja e çështjes, Javorka Përlinçeviq, ka theksuar në gjykatë se Murseli kishte luajtur rol aktiv në ekzekutimin e krimit, duke mbajtur viktimën për krahu në mënyrë që të mos i shmangej plumbit, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes së bashku me fëmijët.
Në aktakuzë përfshihet edhe sigurimi i armës së krimit, për të cilën Murseli akuzohet se e kishte blerë ditën e ngjarjes nga Tom Dodaj për 280 euro. Dodaj e ka pranuar fajësinë dhe fillimisht është dënuar me pesë vjet burgim dhe gjobë, dënim që më pas është reduktuar nga Gjykata e Apelit në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese.




