Në një ditë të rënduar nga dhimbja dhe trishtimi, familjarë, miq dhe të afërm u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit Shpatit, njeriut që la pas një boshllëk të pamatë në zemrat e të gjithëve. Mes lotëve dhe duarve që i dridheshin, motra e tij, Jehona, mbajti fjalimin të cilin kurrë nuk do donte që ta mbante për vëllain e saj të vogël, duke e përshkruar atë si një bekim të Zotit për familjen e tyre.
Duke mos gjetur fjalë që mund të përshkruanin dhimbjen e kësaj humbje, Jehona kujtoi Shpatin si njeri të mirë, me një zemër të bardhë e fisnike. Ajo tregoi se ai dinte të dëgjonte hallet e të tjerëve dhe të gëzohej për lumturinë e çdo kujt.
Me zërin që i dridhej, ajo i premtoi pranë arkëmortit që amanetin e tij, birin e tij të vogël, Roelin, do ta shohë si sytë e ballit.
“Të dashur familjarëve, miq dhe të afërm të gjithë që e donit Shpatin, që jeni të pranishëm. Sot me zemër të thyer jemi mbledhur këtu për të dhënë lamtumirën e fundit vëllait tim dhe tuajit, Shpatit. Është shumë e vështirë të gjej fjalët që të përshkruajnë dhimbjen që ndjej, kjo humbje nuk është thjeshtë, është një dhimbje e një pjese të shpirtit. Shpat, shpirt i motrës ti linde me yll në ballë ishte një njeri i mirë, me zemër të bardhë dhe një njeri fisnik. Diej të ndjeje hallet e të tjerëve, por edhe të gëzoheshe me lumturinë e të tjerëve.
Shpati ti i doje shumë fëmijët dhe pleqtë. Doje shumë të qeshje, buzëqeshja ishte sinonimi yt. Është e rëndë që nuk do ta dëgjojmë zërin tënd, por ti do mbetesh në çdo buzëqeshje dhe mirësi që ke lënë pas. Sot nuk do të themi lamtumirë përgjithmonë, ti do të mbetesh dritë në familjen tonë dhe bekim që Zoti na dhuroi. amanetin tënd Roelin do ta shoh si sytë e ballit, jam krenare që jam motra jote”, tha ajo.




