Ndërkohë që në Ukrainë po zhvillohet lufta, shtëpitë e modës kanë momentin e tyre më të rëndësishëm duke prezantuar koleksionet e tyre të reja për sezonin “Vjeshtë/Dimër 2022”.
Dhe lufta që po ndodh mes Ukrainës dhe Rusisë nuk ka kaluar në heshtje edhe nga industria e modës.
Giorgio Armani, prezantimin e koleksionit të ri në Milano e realizoi në heshtje të plotë, pasi asnjë këngë nuk u vu në asnjë moment teksa modelet parakalonin.
Armani ka dashur që të flasë përmes heshtjes dhe këtë veprim e bëri në respekt të dhimbjes së popullit të Ukrainës pas agresionit rus.
“Vendimi im për të mos përdorur muzikë u mor si një shenjë respekti ndaj njerëzve të përfshirë në tragjedinë e Ukrainës. Ajo që duhet të bëjmë është të dërgojmë një mesazh që nuk duam të festojmë sepse diçka shumë shqetësuese po ndodh rreth nesh”, ka shkruar stilisti 87-vjeçar.
Vlen të theksohet se Armani është ndër të vetmit që ka bërë këtë zgjedhje, për të dhënë mesazhin se kjo fatkeqësi që po i ndodh Ukrainës nuk mund të injorohet.




