Bes Kallaku ka reaguar përmes një story në Instagram për plagosjen e Erjon Vishkullit gjatë protestës së sotme në Tiranë. Aktori ka publikuar një fotografi përkrah 28-vjeçarit, duke treguar se e ka mik dhe duke shprehur shqetësim për gjendjen e tij.
“Erjoni është miku im, një ndër djemtë më të mirë që kam njohur! Nuk ka dalë në protestë se i mungon diçka, por ka dalë për vlerat patriotike që ka, për mangësitë e këtij vendi që të gjithë ne kemi 30 vjet që i shohim”, shkruan Kallaku.
Në vijim, aktori shprehet: “Sot është qëlluar me plumb gome në sy dhe ndodhet në gjendje të rëndë!” Fotografinë e ka shoqëruar me një emoji të përlotur dhe një zemër të bardhë.
Sipas raportimeve nga disa media, Erjon Vishkulli, 28 vjeç, u lëndua rëndë në sy gjatë protestës së sotme, në ditën e 12-të të protestave. Në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje të rënda të të riut pas plagosjes, me dëmtim në zonën e syrit, ndërsa i jepej ndihmë për t’u transportuar me urgjencë drejt spitalit.Raportimet paraprake flasin për një goditje të dyshuar me plumb gome. I riu është dërguar në Spitalin e Traumës, ku raportohet se i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.





