Friday, September 4, 2026
spot_imgspot_img
spot_img

Related Posts

“Ulu në gjunjë, shaje Gjestin”/ Dhunoi Edi Kuçin në Tiranë, Prokuroria e Kosovës vendos urdhër ndalimi për Joz Markun

Autoritetet e Kosovës kanë përfshirë Jozefin Markun, ish-banorin e Big Brother Vip Albania, në listën e personave që duhet të ndalohen në kufi, pas incidentit të dhunshëm me shtetasin kosovar Edi Kuçi, ish-konkurrent i Përputhen.

Vendimi vjen pas hapjes së një rasti penal lidhur me përleshjen fizike, pamjet e plota të së cilës janë publikuar së fundmi në rrjetet sociale.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi. Sipas tij, prokurori ka hapur, me vetiniciativë, një rast penal ndaj Jozefin Markut, shtetas i Republikës së Shqipërisë.

Rasti është hapur për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, që dyshohet se i është shkaktuar shtetasit të Republikës së Kosovës, E.K., iniciale që i referohen Edi Kuçit.

“Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokurori kujdestar, me vetiniciativë ka hapur rast penal ndaj J.M., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ të shkaktuar ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës E.K.”, ka deklaruar Nikçi.

Ai ka bërë të ditur se Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit, përfshirjen e të dyshuarit në listën kufitare për kontroll të veçantë, si dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera ligjore.

“Prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit dhe vendosjen në stop-listë të të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tij”, ka deklaruar Nikçi.

Sipas Prokurorisë, veprimet janë ndërmarrë në bazë të nenit 109 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili, sipas autoriteteve, zbatohet edhe ndaj shtetasve të huaj për vepra penale të kryera jashtë territorit të Kosovës ndaj shtetasve të saj.

Si ndodhi përleshja?

Rasti lidhet me incidentin e dhunshëm mes Jozefin Markut dhe Edi Kuçit në autostradën Tiranë-Durrës. Pamjet e plota të ngjarjes, të siguruara nga Top Channel, tregojnë momentet para dhe gjatë përleshjes fizike.

Në video shihet Edi Kuçi duke u ndaluar në rrugë përmes një tabele të improvizuar policore me mbishkrimin “Stop”. Më pas, ai përballet me Jozefin Markun, i cili e godet fizikisht.

Gjatë incidentit dëgjohet Marku duke e pyetur Kuçin: “Pse m’ke shajt? Shaje Gjestin, shaje Gjestin”, ndërsa vijon ta godasë. Në pamje, Kuçi shihet i gjakosur dhe i kërkon të ndalojë.

Në fund të përleshjes, Marku i kërkon Kuçit të ulet në gjunjë dhe t’i kërkojë falje. Publikimi i videos së plotë ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale dhe ka rikthyer vëmendjen te incidenti.

Me hapjen e rastit penal dhe përfshirjen e tij në listën kufitare për kontroll, autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë hapat e parë ligjorë lidhur me çështjen. Rasti pritet të vijojë të trajtohet nga organet kompetente.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Popular Articles