Ndarja pas disa vitesh lidhje me Sarah Berishën e ka vënë DJ PM-in në qendër të vëmendjes së mediave rozë, por spekulimet e fundit rreth jetës së tij private duket se e kanë kaluar çdo kufi.
Pasi zgjodhi të heshte për pak kohë, PM ka vendosur të reagojë publikisht e me ton të prerë për të sqaruar të vërtetën e tij.
Stuhia e thashethemeve nisi pasi raportuam se Sarah dhe PM hoqën njëri-tjetrin nga rrjeti social Instagram, gjë që vërtetoi menjëherë se i kanë dhënë fund romancës së tyre.
Mirëpo, situata mori tjera përmasa kur në rrjet nisi të aludohej se DJ PM i kishte vënë syrin Almedina Ismajlit, motrës së modeles së njohur Arbenita Ismajli, duke pretenduar për një shkëndijë të re mes tyre.
I përballur me këto aludime të njëpasnjëshme, DJ PM ka publikuar një deklaratë në InstaStory, ku ka mohuar kategorikisht çdo pretendim për një lidhje të re.
Ai e ka cilësuar të papranueshme faktin që informacione të pavërteta paraqiten si fakte absolute pa u verifikuar më parë me të, duke theksuar se shkrime të tilla po i dëmtojnë padrejtësisht imazhin dhe reputacionin.
Përmes këtij reagimi, PM ka shprehur gatishmërinë për të dhënë sqarime e fakte të sakta për çdo gjë që lidhet me të, ndërsa ka paralajmëruar edhe hapa ligjorë nëse publikime të tilla vazhdojnë.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, DJ PM ka falënderuar publikisht të gjithë ndjekësit që zgjedhin të informohen vetëm nga burime të besueshme dhe që nuk bien pre e lajmeve të rreme, duke vendosur kështu një kufi të qartë ndaj thashethemeve për jetën e tij personale.






