Moderatori i “Big Brother VIP”, njëkohësisht edhe drejtori i Top Albania Radio, Ledion Liço, ka ndarë ekskluzivisht në “Goca dhe gra”, emocionet e finales së këtij edicioni të pestë.
Ai ka zbuluar disa momente kyç nga “Big Brother VIP 5”, duke u ndalur tek momentet e vështira dhe emocionuese.
Teksa premtoi një mbrëmje emocionuese dhe të mbushur me surpriza, Ledion Liço, zbuloi nëse do të jetë vitin tjetër nën drejtimin e programit më të ndjekur në Shqipëri.
“Finalet e Big Brother janë një gërshetim i vazhdueshëm i show-t dhe emocioneve. Është e pamundur të mos ketë show, sepse është finale, por është e pamundur të mos ketë emocion kapaku i të gjithë këtyre muajve emocionuese, gjithë historive që banorët kanë treguar aty brenda, qoftë ajo që lidhet me rrugëtimin brenda shtëpisë, qoftë ajo që lidhet me jetën e tyre jashtë.
Ky Big Brother falë Zotit, dhe të punës së të gjithë atyre që kanë punuar, ka qenë një Big Brother i balancuar mes gjithçkaje. Ka pasur çdo gjë që duhet të ketë një Big Brother, dhe pavarësisht se është në sezonin e tij të pestë, ka dhuruar po aq lojë saç na ka dhuruar edhe ndjenja.
Momente kyç të këtij edicioni, momente si dalja e Rogertit nga shtëpia, momente si deklarata e nënës së Selin, kanë qenë momente të sikletshme të cilat duhet t’i menaxhoje live. Natyrisht që në Big Brother në përgjithësi mbaj qëndrime, për ato që besoj, jo për ato që janë, njerëzit duhet ta kuptojnë një herë e mirë, që kjo për mua është punë, nuk është jeta ime. Një moment tjetër që nuk ka lidhje me lojën, por me emocionet, ka qenë takimi i Malit me të atin. Ka qenë një moment i vështirë për tu menaxhuar në mënyrë të drejtë për të gjithë palët.
Mua do të më pëlqente gjithmonë një fitues i cili lë një shije të mirë, që mundohet ta ndryshojë botën për mirë. Big Brother përfaqëson një pjesë të madhe të tortës së shoqërisë. Unë mendoj që shoqëria shqiptare sot është në një udhëkryq të madh, mendoj që kemi humbur disa nga vlerat tona kryesore, të cilat duhet t’i rikthehemi. Mendoj që ka vend kryesisht për më shumë dashuri. Po do të jem vitin që vjen, shihemi”, tha Liço.




