Najada Konomi, e dashur dhe e njohur nga i gjithë publiku me përkëdhelinë “Noçja” që nga edicioni i parë historik i Big Brother Albania, ka bërë një rikthim nostalgjik në ekran mbrëmjen e sotme. Përmes një lidhjeje direkte me video call në emisionin “Goca dhe Gra”, ajo ka ndarë kujtime dhe reflektime mbi eksperiencën e saj të paharrueshme që mbërtheu shqiptarët para ekranit.
Duke bërë një krahasim mes atij edicioni të parë dhe formateve të sotme, Najada u shpreh se gjërat ishin krejtësisht ndryshe. “Atëherë ka qenë ndryshe, ishim shumë naivë,” rrëfeu ajo. Ajo kujtoi se buja ishte aq e madhe saqë, pas daljes, efekti i famës ishte i jashtëzakonshëm dhe njerëzit i ndalonin kudo në rrugë.
Një nga momentet më të veçanta ishte kur u kujtua lidhja e saj e bujshme me Olsin, romanca që lindi brenda shtëpisë. Publiku i shihte si krejtësisht të pandarë, aq sa kjo reflektohej edhe në përditshmërinë e tyre. “Olsit i thoshin ‘Ku e ke Noçen?’ dhe mua më pyesnin vazhdimisht për Olsin,” tregoi ajo duke buzëqeshur, duke theksuar impaktin që historia e tyre pati te njerëzit.
E pyetur nëse do të futej sërish për një eksperiencë të dytë, Najada nuk dha një “jo” kategorike, duke lënë një derë të hapur: “Do ta rimendoj nëse më vjen mundësia.”
Ndërkohë, edhe pse vitet kanë kaluar, ajo vazhdon të jetë e lidhur me formatin si shikuese. E pyetur për edicionin aktual të “Big Brother VIP Albania”, Najada nuk hezitoi të zbulojë preferencën e saj, duke theksuar hapur se këtë vit mbështetja e saj shkon për Mirin.
Ndërkohë, Olsi gjithashtu ishte pjesë e ‘Goca dhe gra’ sonte, ai u shpreh shkurt, krijova një njohje brenda, qëndruam disa muaj bashkë pas daljes, kishim shoqëri të ndryshme dhe gabimet e mia bënë që të ndamë rrugët.



