Edicioni i 76-të i Festivalit të Sanremos u mbajt me emocione të forta dhe diskutime të shumta sa i përket shikueshmërisë. Me përfundimin e natës së dytë, analizat janë të pashmangshme dhe sipas mediave italiane, audienca këtë vit ka pësuar një rënie të ndjeshme krahasuar me edicionet e fundit.
Mbrëmja e parë e transmetuar në Rai 1 u ndoq nga rreth 9.6 milionë shikues, me 58% share, dukshëm më pak se një vit më parë, kur festivali kishte arritur mbi 12.6 milionë shikues dhe 65.3% të audiencës. Krahasuar me vitet e drejtuara nga Amadeus, shifrat janë më të ulëta, ndërsa këtë vit drejtimin e spektaklit e ka marrë Carlo Conti.
Analistët e lidhin rënien me disa faktorë, përfshirë vendosjen e festivalit në fund të shkurtit për të shmangur përplasjen me 2026 Winter Olympics, si dhe konkurrencën televizive nga ndeshja mes Inter Milan dhe Bodo/Glimt. Megjithatë, organizatorët theksojnë se Sanremo mbetet një “event” me ndikim të jashtëzakonshëm, që shtrihet përtej televizorit tradicional, duke përfshirë ndjekjen përmes pajisjeve digjitale.
Në natën e dytë, dinamika e votimit ndryshoi, pas jurisë së shtypit televiziv dhe online, kësaj here publiku i gjerë mori një rol vendimtar, duke përbërë 50% të totalit të votës, ndërsa gjysma tjetër erdhi nga juria e radios.
Pas interpretimit të 15 këngëve, në pesëshen më të votuar u renditën Tommaso Paradiso me “I romantici”, LDA & Aka 7even me “Poesie clandestine”, Nayt me “Prima che”, Fedez & Masini me “Male necessario” dhe, mes tyre, një emër që për publikun shqiptar është i rëndësishëm, Ermal Meta me këngën “Stella Stellina”.
Artisti shqiptar, tashmë një figurë e konsoliduar në skenën italiane, solli një performancë të ndjerë, dhe teknikisht të përkryer, duke dëshmuar se mbetet një nga zërat më autentikë të festivalit.
“Stella Stellina” u prit me ovacione dhe reagime pozitive, ndërsa prania e tij në pesëshen më të mirë konfirmon vlerësimin e jurive dhe të publikut. Me këtë këngë ai i këndoi një vajze të vogël të vrarë në Gaza gjatë një sulmi izraelit.
Meta doli në skenë me emrin e një vajze palestineze, Amal, të shkruar në jakën e këmishës së tij.
“Protagonistja e ‘Stella stellina’ është një fëmijë pa emër, por ndoshta i ka të gjithë emrat. Aysha, Amal, Layla, Nour, Hind… çfarë rëndësie ka? Ndoshta gjithçka, ndoshta asgjë. Fëmija i askujt, fëmija i të gjithëve”, shkroi Meta në rrjetet sociale pas performancës së tij, duke theksuar mesazhin e këngës.
Sanremo këtë vit dhuroi edhe momente simbolike, si takimi në skenë mes Kabir Bedi dhe Can Yaman, dy epoka të “Sandokanit”, në një përqafim mes brezash që emocionoi publikun





