Top Channel ka nisur përgatitjet për sezonin e ri të “Për’puthen”, ndërsa sinjalet e para tregojnë se programi do të rikthehet me ndryshime.
Në një postim të publikuar në faqet zyrtare të Top Channel dhe “Për’puthen”, është ndarë një bisedë e inskenuar, përmes së cilës paralajmërohen të rejat që pritet të sjellë formati.
“A je tu e ndje???”, nis biseda, ndërsa përgjigjja është: “Çfarë, rrahjet e tua të zemrës?”. Më pas vjen edhe pyetja që zbulon arsyen e postimit: “Jo jo, ndryshimet e reja në Për’puthen?”.

“Me themel aaaa?”, është përgjigjja që pason, duke lënë të kuptohet se këtë sezon ndryshimet mund të jenë më të mëdha sesa thjesht disa elemente të reja në program.
Top Channel nuk ka zbuluar ende konkretisht se çfarë do të ndryshojë në format, por krahas postimit ka konfirmuar edhe një tjetër detaj të rëndësishëm: aplikimet për sezonin e ri do të hapen së shpejti.
“Kapitull i ri… Aplikimet hapen së shpejti! A jeni gati?”, shkruhet në njoftim.
Mbetet për t’u parë se çfarë nënkupton paralajmërimi për ndryshime “me themel” dhe nëse sezoni i ri do të sjellë ndryshime në formulën e programit, studio, drejtim apo në mënyrën se si do të zhvillohet njohja mes konkurrentëve.




