Modelja dhe ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Juliana Nura feston sot ditëlindjen e saj të 36-të, me një postim emocional në Instagram, ku ka reflektuar mbi rrugëtimin e saj personal dhe fuqinë e gruas.
Përmes disa fotografive artistike, ku shfaqet shtatzënë, Juliana shkruan se këtë vit ditëlindja ka një domethënie krejtësisht tjetër për të, pasi ndihet “e realizuar, e plotësuar dhe si një perëndeshë”.
“Jam bërë gruaja që dikur e ëndërroja të isha – një grua që ecën në rrugën e saj pa kërkuar leje dhe pa u ndjerë kurrë në siklet për atë që është”, ka shkruar ajo.
Nura thekson se dëshiron të thyejë tabutë dhe të hapë rrugën për vajzat e brezave të ardhshëm, duke sfiduar barrierat që shoqëria, kultura dhe paragjykimet u kanë vendosur grave ndër vite.
Në fund të mesazhit, ajo uron veten për ditëlindje dhe u dërgon një dedikim të veçantë grave të forta: “T’i njohim, t’i rrisim dhe të bëhemi si ato.”
Postimi i Julianës është pritur me komente të shumta urimi dhe mbështetjeje nga ndjekësit e saj në rrjetet sociale.






