Pritjes i erdhi fundi dhe tashmë është gjithçka zyrtare. Fituesi i edicionit të katërt të “Big Brother VIP Kosova”, Londri, sapo ka publikuar projektin e tij të parë muzikor pas daljes nga shtëpia më e famshme.
Kënga mban titullin “Afterparty” dhe premiera sapo ka përfunduar me sukses në platformën YouTube, duke shënuar rikthimin e tij të shumëpritur në tregun muzikor pas rrugëtimit intensiv në reality show. Ky projekt është vetëm faza e parë e asaj që pritet të vijë, pasi “Afterparty” shërben si kënga hapëse e një EP-je të re me pesë këngë, një lëvizje kjo që tregon se Londrimi është fokusuar totalisht te karriera e tij artistike dhe puna në studio.
Projekti vjen i kuruar në detaje me një ekip të njohur profesionistësh nga pas. Muzika dhe beati janë punuar nga “Nevermind”, ndërsa ana vizuale plot adrenalinë i është besuar “Entermedia”, shoqëruar me koreografi nga Albi Nako. Në videoklip, Londrimi shfaqet me një stil të veçantë dhe performancë skenike dinamike nën dritat e një salle madhështore.
Pas një fitoreje të madhe, pritshmëritë ishin të larta dhe ky projekt tregon se ai ka vendosur të mos humbasë kohë me pushime të gjata. “Afterparty” tashmë është i qasshëm për të gjithë dhe mbetet për t’u parë nëse do të kthehet në himnin e festave të këtij sezoni për fansat që e mbështetën përgjatë gjithë aventurës televizive.
Ndërkohë, në një periudhë kur në rrjet po qarkullonin aludime se raporti mes Londrimit dhe Eljonës ishte ftohur, ka qenë vetë kjo e fundit ajo që ka postuar projektin e ri të këngëtarit në profilin e saj, duke shuar kështu të gjitha dyshimet për një krisje mes tyre.




