Pas rrëfimit tejet prekës të këngëtares Pandora në emisionin “1 Kafe me Labin”, ku u zbulua se si ajo po ndihmon djalin e të ndjerit Shpat Kasapi për trajtimet mjekësore, vëmendja e opinionit publik është kthyer e gjitha te kjo kauzë e madhe humane. Premiera e këngës për Roelin e vogël dhe letra publike e Selvijes, ku tregonte se djali që nuk fliste sot po bën hapa para falë terapive, kanë prekur zemrat e mijëra shqiptarëve.
Në mes të kësaj vale të madhe emocionesh dhe mirënjohjeje, nuk ka munguar as reagimi i nënës së Shpatit. Gjylymsere Kasapi, e prekur deri në lot nga ky gjest i madh që po bëhet për nipin e saj në këto kohë të vështira pas humbjes së djalit, ka gjetur forcën për të falënderuar publikisht artisten.
Përmes një komenti tek ‘Artistët Shqiptar’ në rrjetet sociale, nëna e këngëtarit të ndjerë ka shprehur gjithë dhimbjen, por edhe lehtësimin që ndjen kur sheh se familja e djalit të saj nuk është lënë vetëm. Ajo ka vlerësuar lart shpirtin human të Pandorës:
“E bukura dhe e dashura Pandora! Jam emocionuar me idenë tënde! Të falënderoj për çdo gjë që bën për Roelin dhe Selvijen, të përqafoj fort”, ka shkruar zonja Gjylymsere, duke treguar se solidariteti i treguar u ka dhënë një dritë shprese në ditët e tyre më të errëta.




