Selvije Kasapi, bashkëshortja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, ka ndarë së fundmi një mesazh emocional në rrjetet sociale, ku njofton për një zhvillim të rëndësishëm për të ardhmen e djalit të tyre, Roelit. Ajo bën të ditur se autoritetet italiane kanë miratuar lejen e qëndrimit 3-vjeçare në Itali, një hap kyç për shëndetin dhe të ardhmen e tij.
Në mesazhin e saj, Selvija falënderon veçanërisht personat që e kanë ndihmuar në kohë rekord për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm, duke theksuar se kjo mbështetje ka qenë vendimtare në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë për familjen.
Ajo kujton me dhimbje bashkëshortin e saj, këngëtarin e njohur Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta pas një ataku në zemër. Sipas saj, Shpati do të ishte shumë i lumtur sot për këtë lajm, por ajo premton se amanetin e tij do ta çojë deri në fund, duke u përkujdesur për të ardhmen e djalit të tyre.




