Një figurinë e rrallë e Labubu që i përket gjeneratës së parë, është shitur për 150.000 dollarë në një ankand në Pekin, i organizuar ekskluzivisht për lodrat që kanë çmendur botën, raporton CNN.

Figura në ngjyrë menteje me përmasa 131 centimetër, e cila duket si një krijesë e vogël mistrece, me  dhëmbë të mprehtë dhe me një ngërdheshje në fytyrë u shit për 1.08 mlionë juan në Ankandin Ndërkombëtar Yongle.

“Urime blerësit online për koleksionimin e të vetmit në botë”, tha drejtuesi i ankandit.

Labubu janë lodrat me pelush më në modë të momentit, të cilat janë krijuar nga ilustruesi Kasing Lung dhe shiten nga gjiganti Pop Mart.

Muajt e fundit,  krijesat që i përngjajnë një elfi disi të lig por edhe të lezetshëm, kanë nxitur një valë të çmendur blerjesh në të gjithë botën dhe në disa raste, edhe grindje jashtë dyqaneve ku shiten. Edhe në Kinë, ku këto lodra prodhohen, njerëzit e kanë të vështirë të blejnë një Labubu.

Gjatë eventit, dolën në ankand 48 Labubu, duke shënuar ankandin e parë të lodrave që mund të koleksionohen.

Një Labubu kafe, 160 centimetër u shit për 114.086 dollarë, çmimi i dytë më i lartë në ankand.  Kompania tha se në botë ka vetëm 15 të tilla. Figurinat e tjera u shitën për më shumë se 1000 dollarë secila. Një çift Labubu që duken si Minion, u shit për 1391 dollarë.

Kompania  planifikon të organizojë edhe ankande të tjera për Labubu dhe vepra të tjera moderne. Blerësit duhet të paguanin edhe një komision prej 15% veç çmimit të produktit.

Çmimi i lodrave Labubu ka shënuar inflacion për shkak të kërkesës absurde. Një kuti me Labubu e fundit të versionit 3.0 që kushton 81 dollarë, shitet deri në 278 dollarë në tregun e gjërave të dorës së dytë.

Gjiganti Pop Mart ka shënuar fitime marramendëse prej kësaj lodre. Gjatë vitit të shkuar, fitimet globale  të kompanisë u rritën me 125% ndërsa në Kinë arritën mbi 1.09 miliardë dollarë ose 34% më të larta se  sa në vitin 2023.