
Panairi më i madh i bukurisë në Shqipëri “Beauty Fair Albania 2024”, sjell edicionin e tij të gjashtë pas një përvoje të paharrueshme, ndërtuar mes sfidave dhe sukseseve në pesë edicionet e mëparshme.

Ky panair do të bëjë bashkë markat më të njohura të bukurisë, mjeshtrat e kësaj fushe, profesionistët me konsumatorin final, duke u dhënë mundësi këtyre të fundit të njihen me çdo produkt dhe shërbim.
Në një intervistë ekskluzive për LIVING, organizatorja e këtij panairi dhe balerina e njohur Isida Mollaymeri, ndër të tjera ka treguar më shumë detaje edhe për eventet që do të zhvillohen gjatë atyre ditëve.

Intervista e plotë:
– Çfarë e lidh bukurinë me profesionin tënd si balerinë?
Gjithçka…, profesioni im ka komunikimin më të bukur në botë që është gjuha e trupit. Në këtë biznes i shtohet dhe fuqia e fjalës dhe gjithçka është edhe më e lehtë. Pastaj, unë jam mësuar të shoh gjëra të bukura dhe të mëdha në profesionin tim. Kështu është dhe “Beauty Fair Albania” shumë i kuruar në çdo detaj, i ndërtuar bio, që nga A, me shumë dashuri nga unë, dhe me një bukuri të madhe në njerëz dhe produkte, si arti, gjithëpërfshirës.
– Ky është edicioni i gjashtë i panairit “Beauty Fair Albania” dhe shpeshherë projektet që sjell, vijnë me një kauzë. Cila është kauza e këtij viti?
Unë në gjithçka që bëj mundohem shumë të jap diçka nga vetja, ose të bëj një gjë të mirë. “Beauty Fair Albania” gjithmonë ka mbështetur kauza të rëndësishme. Këtë vit ne mbështesim “Fjongon Rozë”, ose siç e njohim të gjithë “YWCA of Albania”, në mbështetje të zonjave dhe vajzave që vuajnë nga kanceri.
– Cilat janë sfidat e këtij viti në “Beauty Fair Albania 2024”?
Sfidat janë çdo vit të njëjtat, por me kërkesa më të larta, çdo vit më shumë vizitor, më shumë pjesëmarrës, dhe me standardet europiane. Në fillime e zbukuroja unë panairin për pjesëmarrësit. Sot “Beauty Fair Albania” është në tjetër nivel, pjesëmarrësit e zbukurojnë panairin me pjesëmarrjen e tyre dinjitoze duke shpenzuar për stendat dhe duke investuar çdo vit në brandet e tyre.
– Kush është imazhi i panairit të këtij viti dhe si bëhet përzgjedhja?
Megi Luka dhe Kris Dalipi, të dy njerëz të bukur, me sjellje të bukur, me arritje profesionale në nivele të larta. Fizikisht duken sa të bukur janë, e mbi të gjitha shumë punëtorë e ambiciozë. Të gjitha këto veti që lidhen me panairin më të madh të bukurisë në Shqipëri “Beauty Fair Albania” ku mbart pas vetes shumë punë, njerëz të bukur, profesionistë, e mbi të gjitha klientë, që çdo ditë rriten në brande në teknologji dhe perfeksion. Zgjedhja bëhet nga stafi i BFA (Bachelor of Fine Arts) dhe drejtori imazhit që është Endrit Mërtiri.

– Më shumë se një panair çfarë do të thotë për ty “Beauty Fair”?
Ahhhh shumë do të thotë!
Një krijesë e rritur nga unë, ëndrra ime e bërë realitet që të kisha një biznes. Historia e jetës time që unë gjërat i arrij me shumë punë e sakrifica. Krenaria ime është kur të gjithë thonë ‘dhe ne po ja arrijmë standardeve europiane në fushën e panaireve’.
Pushtet, për të pasur një arsye më shumë të jem e pavarur.
Mirënjohëse për besimin që patën klientët tek unë vitin e parë pa e ditur si do e organizoja unë këtë panair.
Forcë për të bërë gjëra dhe më të mëdha.
– Pse nuk e ke vendosur veten si imazh të “Beauty Fair Albania”?
Sepse unë ciklin tim dhe rëndësinë time, bukurinë dhe gjithçka e kam në teatër.
Mua nuk më pëlqen të drejtoj vet, fotot të jenë të miat dhe në gjithçka të jem unë. Më duket si ajo historia “a doni më për Belulin”.
Një punë e mirë duhet të bëhet në grup, dhe guri i rëndë peshon në vend të vet. Pra unë e kam në skenë vendin tim dhe për imazh më duhet një profesionist/profesioniste në atë fushë. Punët e mira bëhen, nëse secili profesionist bën punën e vet. Unë jam artiste dhe bej marketing dhe organizim, këtë bëj dhe në BFA, marketingun dhe organizimin, atë që di të bëj më mirë.
– Sa rëndësi i jepet në këtë panair produkteve shqiptare?
Ka disa brande shqiptare në panair që janë integruar shumë mirë në tregun e madh të kozmetikës në Shqipëri. Duhet të themi, që tregu i markave të huaja në vendin tonë është shumë i madh.
– Çfarë eventesh do mbahen këto ditë gjatë panairit?
Do të zhvillohen shumë evente të ndryshe; seminare, Workshop-e, intership, makeup tutorial, prezantime produktesh të reja, prezantime të makinerive mjekësore dhe estetike, si dhe evente të kauzës së “YWCA”, etj.





