Fituesi i “Big Brother VIP Albania 2”, i cili theu çdo rekord shikueshmërie dhe mbajti mbërthyer publikun gjatë qëndrimit të tij në shtëpi, po bëhet gati për një tjetër sfidë para kamerave.
Sipas burimeve të Vip Magazine, Luiz Ejlli pritet të rikthehet në ekranin e Top Channel, por këtë herë në një rol krejt të ndryshëm nga sa jemi mësuar ta shohim.
Këngëtari do të lërë për pak moment mikrofonin e koncerteve për t’u ulur në karrigen e moderatorit të një programi të ri televiziv.
Burime pranë televizionit bëjnë me dije se tashmë kanë nisur intensivisht punimet për ndërtimin e një studioje të re dhe madhështore, të dedikuar posaçërisht për këtë projekt që pritet të drejtohet nga ai. Ndonëse Luizi ka qenë tejet i angazhuar kohët e fundit me mbrëmje muzikore dhe projekte të reja, ky emision do të sjellë një dimension të ri të shoumenit përgjatë vjeshtës. Formatit i mbahen ende të fshehta detajet specifike, por mësohet se programi pritet të nisë zyrtarisht transmetimin gjatë muajit tetor.
Mbetet për t’u parë se si do të përshtatet ai në këtë pozicion të ri, i cili kërkon një lloj tjetër dinamike me ekranin. Megjithatë, duke njohur natyrën e tij spontane dhe lehtësinë për të krijuar batuta, ky rikthim ka ngjallur interes të menjëhershëm te publiku, i cili është gati ta shohë në këtë sfidë të re televizive. Ne do të mbetemi në kërkim të detajeve të reja rreth këtij formati për t’ju mbajtur të informuar përpara premierës.





