Prokuroria e Milanos ka nisur një hetim penal ndaj gazetarit dhe prezantuesit televiziv italian, Alfonso Signorini, për akuzat e dhunës seksuale dhe zhvatjes, lidhur me reality-show-n “Grande Fratello”. Hetimi erdhi pas kallëzimit të depozituar nga ish-konkurrenti Antonio Medugno, i cili mbështet pretendimet për një sistem favoreje brenda programit, më parë denoncuar nga Fabrizio Corona, sipas të cilit hyrja në emision mund të shoqërohej me kërkesa për favore seksuale.
Dosja po ndiqet nga prokurori Alessandro Gobbis dhe prokurorja Letizia Mannella. Një ditë më parë, Signorini njoftoi dorëheqjen e tij nga Mediaset, në mënyrë “parandaluese”, pas akuzave të ngritura në emisionin online “Falsissimo”, të drejtuar nga Corona.
Në përgatitje të procesit gjyqësor, Signorini ka ndryshuar ekipin e avokatëve, duke zgjedhur Daniela Missaglia dhe Domenico Aiello, dy emra të njohur në avokatinë italiane. Sipas mbrojtjes ligjore, ai e konsideron veten “viktimë të një sërë veprimesh kriminale të rënda dhe të vazhdueshme”.
Hetimet janë aktualisht në fazën paraprake, ndërsa autoritetet italiane pritet të sqarojnë përgjegjësitë dhe vërtetësinë e akuzave, që kanë shkaktuar një nga çështjet më të bujshme mediatike të fundvitit në Itali.




