Shtëpia italiane e modës, Valentino, po përballet me kritika për reklamat “shqetësuese” për një prej çantave luksoze, të realizuar me inteligjencë artificiale (IA).
Marka njoftoi një bashkëpunim me artistët dixhitalë si pjesë të asaj që e quajti një “projekt krijues dixhital” ku promovonte çantën e re DeVain.
Por reklama me IA e postuar në Instagram është kritikuar pasi fansat e kanë quajtur përdorimin e teknologjisë si “të rrëmujshëm“ dhe “të trishtë”.
Në postim është vendosur etiketa që tregon se është përdorur IA. Modelet ‘dalin’ nga zbukurimet e çantës, logoja shndërrohet në krahët e njerëzve që më pas bashkohen dhe duken si një spirale trupash.
“Zhgënjyese nga një shtëpi e modës së lartë”, shkruhet në njërin prej komenteve.
“Fushatat reklamuese janë një mundësi për të vënë talentet në qendër të vëmendjes. IA në këtë rast është dembel”, vijon një tjetër.
Industria e modës dhe sektorë të tjerë krijues, janë kthyer drejt mjeteve të IA si një formë për të pakësuar kostot e prodhimit dhe reklamimit.

Njëkohësisht është parë si mundësi për të parë sesi teknologjia e re mund të ndihmojë procese thelbësore si dizenjimi, prodhimi dhe përmasat.
Kjo ka shkaktuar shqetësime se rritja e përdorimit të IA mund të zëvendësojë njerëzit ose të ulë cilësinë e artikujve të modës.





