Antonin Tron do të jetë drejtori i ri kreativ i Balmain, duke pasuar Olivier Rousteing që për 14 vjet dhjetëfishoi të ardhurat e shtëpisë së modës.
Tron, 41 vjeç, është stilisti i markës Atlein, e njohur për punimin artizanal dhe qasjen ndaj feminilitetit. Koleksioni i tij debutues do të prezantohet në mars të vitit të ardhshëm për vjeshtën 2026.
“Jam thellësisht i nderuar që i bashkohem Balmain dhe mirënjohës ndaj Rachid dhe Matteo që më kanë besuar këtë shtëpi të jashtëzakonshme. Dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen time Olivier Rousteing që e ndërtoi Balmain në markën globale që është sot. Balmain ka një histori vërtet frymëzuese. Në thelb, shtëpia mishëron koherencën, kulturën, sensualitetin dhe elegancën, modën që rrëzëllen, është e saktë dhe e guximshme. Kjo përputhet shumë me mua dhe ndihem i privilegjia që kam mundësinë të ndërtoj mbi këtë trashëgimi të pabesueshme”, tha Tron.
Koleksioni i tij i fundit për Atlein u prezantua në Paris për sezonin vjeshtë 2025. Pas pasi hapi Atlein, Tron fitoi çmimin e Koleksionit të Parë në ANDAM 2018 dhe fitoi shpejt klientë të rëndësishëm të shitjes me shumicë.
Ai është bërë i njohur për bluzat e derdhura me zinxhir dhe fustanet seksi, ndërsa së fundmi ka eksploruar më shumë qepjet e strukturuara.
Gjatë vitit të fundit, shtëpitë e mëdha të modës janë përfshirë nga një lëvizje e gjerë ku janë ndërruar drejtorët kreativë. Kjo ka ndodhur te Chanel, Dior, Gucci, Balenciaga, Loewe, Bottega Veneta, Givenchy, Dries Van Noten, Celine, Maison Margiela, Calvin Klein, Jil Sander, Versace, Tom Ford, Alberta Ferretti, Lanvin, Blumarine, Mugler dhe Jean Paul Gaultier.
Në fillim të vitit 2026, Maria Grazia Chiuri do të debutojë te Fendi, Meryll Rogge te Marni, Rachel Scott te Proenza Schouler dhe Jaden Smith te departamenti i veshjeve për burra të Christian Louboutin.
Grace Wales Bonner që u caktua së fundmi si drejtoreshë kreative te veshjet e burrave të Hermès do ta prezantojë koleksionin e parë në janar 2027.





