Moderatorja e njohur Arbana Osmani ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestën në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin për dhunën dhe situatën e krijuar në vend.
Osmani ka treguar se ka zgjedhur të heshtë gjatë këtyre ditëve, për të kuptuar më mirë atë që po ndodh, duke theksuar se situata nuk duhet trajtuar si një spektakël apo si një mundësi për të fituar pëlqime në rrjetet sociale.
Si nënë e tre fëmijëve, moderatorja thotë se e lëndon të shohë të rinj pa shpresë, disa prej të cilëve janë në moshën e djalit të saj, duke u përballur me dhunën teksa kërkojnë të drejtat e tyre.
Ajo shprehet gjithashtu se i dhemb të shohë Tiranën të digjet sërish, pas ngjarjeve të përsëritura të këtyre 30 viteve.
Arbana Osmani ka qenë e qartë në qëndrimin e saj kundër dhunës, duke e dënuar atë si nga ana e policisë, ashtu edhe nga protestuesit që shkatërrojnë institucionet dhe bizneset, por edhe nga ata që, sipas saj, e justifikojnë dhunën përmes statuseve populiste në Instagram.
Në reagimin e saj, moderatorja i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit, duke kërkuar që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe të respektohet.
“Por si qytetare e këtij vendi ku kam vendosur të rris fëmijët e mi, sot më shumë se kurrë ndjej t’i them me zë të lartë kryeministrit: ‘Mjaft; respekto popullin tënd, dëgjoje.’ Askush nuk e meriton këtë”, shkruan Arbana Osmani.




