Detaje të reja po dalin në dritë nga dasma e shumëpërfolur e Taylor Swift dhe Travis Kelce, ndërsa burime pranë çiftit kanë zbuluar një nga momentet më emocionuese të ceremonisë.
Sipas revistës Us Weekly, Taylor eci drejt altarit përgjatë një korridori të gjatë, ndërsa një kuartet me instrumente me tela interpretonte një version instrumental të hitit të saj ikonik të vitit 2008, “Love Story”.
Atmosfera u bë edhe më prekëse në momentin kur çifti shkëmbeu betimet e martesës.
Betimet e ndjera i rikthyen të gjithë te mënyra se si ata u njohën për herë të parë dhe te rrugëtimi që i solli deri në këtë moment-tha një burim për revistën.
Sipas të njëjtit burim, emocionet ishin aq të forta, sa edhe të ftuarit nuk arritën t’i mbanin lotët.
Një burim tjetër zbuloi se ishte Travis Kelce ai që u emocionua më shumë gjatë ceremonisë.
Travis u përlot edhe më shumë se Taylor. Ata ndanë detaje dhe kujtime shumë personale, disa prej të cilave shumë nga të ftuarit nuk i kishin dëgjuar kurrë më parë-u shpreh burimi.
Zgjedhja e “Love Story” nuk ishte aspak rastësore. Kënga, e publikuar në vitin 2008 si singulli kryesor i albumit “Fearless”, është një nga projektet më të dashura të Taylor Swift dhe konsiderohet simbol i historive të mëdha të dashurisë.
Vetë këngëtarja ka treguar më herët historinë pas krijimit të saj.
Në një intervistë për “The New York Times Magazine”, Taylor zbuloi se e shkroi këngën kur ishte vetëm 17 vjeçe, pas një debati me prindërit për një djalë me të cilin dëshironte të dilte.
Mendoj se hera e parë kur ndjeva se nuk më interesonte nëse njerëzit do ta urrenin një këngë, sepse unë e doja aq shumë, ishte kur shkrova ‘Love Story’. Isha 17 vjeçe, ulur në dhomën time, e zemëruar me prindërit e mi sepse nuk më lejonin të dilja me një djalë që ishte më i madh se unë. Në fakt, as nuk duhej të dilja me të-rrëfeu artistja.
Për fansat, fakti që Taylor zgjodhi pikërisht “Love Story” për hyrjen e saj drejt altarit ishte një mënyrë simbolike për të mbyllur rrethin e një historie që nisi si fantazi në një këngë dhe përfundoi në një dashuri të kurorëzuar me martesë.




