Wednesday, June 24, 2026
spot_imgspot_img
spot_img

Related Posts

ZANAFILLA dhe Bashkia Himarë çelin sezonin me “Deti Pa Barriera” dhe spektaklin “Magji mbi JON”, dhjetëra artistë të njohur do të performojnë

Shoqata “Për një jetë më të mirë” ZANAFILLA ka prezantuar projektin “Deti Pa Barriera”, një nismë që synon ta kthejë Himarën në destinacionin e parë model të turizmit të aksesueshëm në Shqipëri për personat me aftësi të kufizuara. Projekti parashikon krijimin e një pike të plotë aksesi në det dhe do të shoqërohet me aktivitete sensibilizuese dhe kulturore. Në datat 26 dhe 27 qershor, nisma do të celebrohet përmes koncerteve dhe spektaklit “Magji mbi JON”, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur shqiptarë. Më poshtë deklarata e plotë:

Shoqata “Për një jetë më të mirë “ZANAFILLA” prezanton projektin “Deti pa Barriera” në bashkinë e Himarës. Kjo iniciativë synon ta bëjë Himarën destinacionin e parë model të turizmit të aksesueshëm në Shqipëri për personat me aftësi të kufizuara. Projekti “Deti Pa Barriera” parashikon krijimin e një pike të plotë aksesi në det për personat me lëvizshmëri të kufizuar, duke garantuar një zinxhir të pandërprerë aksesueshmërie nga parkimi deri në hyrjen në ujë.

Shoqata “ZANAFILLA” në kuadër të projektit do të realizojë ndërhyrje infrastrukturore dhe instalimin e pajisjeve moderne për hyrjen e sigurt në det. Krahas investimit fizik, projekti përfshin trajnimin e stafit lokal, sensibilizimin e operatorëve turistikë dhe një fushatë ndërgjegjësuese për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në turizëm.

“Deti Pa Barriera” synon të promovojë barazinë, përfshirjen sociale dhe të pozicionojë Himarën si një destinacion modern që respekton standardet evropiane të aksesueshmërisë. Nisma pritet të përmirësojë cilësinë e jetës së përfituesve, të krijojë mundësi të reja për turizmin gjithëpërfshirës dhe të shërbejë si model për bashkitë e tjera bregdetare në Shqipëri.

Ky projekt do të celebrohet me një koncert në datën 26 në orën 11:00 me pjesëmarrjen e artistëve lokalë të muzikës popullore, Oriola Rrokaj dhe djalit të saj, për të treguar forcën përtej pamundësive, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të këngëtares Eneda Tarifa, e cila gjithashtu ka kuruar edhe pjesën artistike të koncertit.

Data 27 qershor, ora 20:00 na mbledh sërish në pedonalen e Himarës në një tjetër projekt “Magji Mbi Jon” për të festuar jetën.

Bashkia Himarë nën kujdesin e veçantë të kryetarit Vangjel Tavo dhe Shoqata “ZANAFILLA” sjellin për publikun spektaklin kulturor “Magji mbi JON”, një produksion artistik unik që do të zhvillohet në shëtitoren kryesore të Himarës, duke çelur sezonin turistik veror me një festë të madhe të muzikës, traditës dhe identitetit shqiptar.

“Magji mbi JON” është një performancë multimedia 120-minutëshe që ndërthur muzikën live dhe elementë humori, duke krijuar një eksperiencë të veçantë për publikun vendas dhe të huaj. Projekti synon të promovojë trashëgiminë kulturore shqiptare përmes një qasjeje moderne, duke afruar brezat e rinj me vlerat e muzikës qytetare dhe estetikën e dekadave të arta shqiptare.

Në skenë do të ngjiten emra të njohur të muzikës shqiptare si Eneda Tarifa dhe nëna e saj, Ylli Baka së bashku me Marko dhe Toni Baka, Era Rusi e shoqëruar nga nëna e saj, Sani Dimitri, Renis Gjoka, Alket dhe Niki Zaimi, Sabian dhe Kejsi, grupi Threax, Andi Murra World of Dance, me pjesëmarrjen e aktorit Gaz Paja dhe të ftuarit special, reperit Ledri Vulaj. Ndërsa prezantimi dhe atmosfera artistike do të moderohen nga Genti Lasku dhe Eneda Tarifa.

Përmes këtij aktiviteti synohet promovimi i Himarës si një destinacion i turizmit kulturor, duke tërhequr mijëra vizitorë dhe duke gjeneruar ndikim pozitiv për ekonominë lokale. Spektakli pritet të ndiqet nga mbi 5,000 spektatorë në terren dhe më shumë se 100,000 ndjekës përmes transmetimeve televizive dhe platformave online.

“Magji mbi JON” është një festë e kulturës shqiptare, një urë mes traditës dhe bashkëkohores, si dhe një kontribut i rëndësishëm në promovimin e trashëgimisë sonë artistike dhe turizmit kulturor në Rivierën Shqiptare. Koncerti do të jetë i hapur për të gjithë ata që kanë dëshirë ta ndjekin, pa pagesë apo bileta.

Faleminderit!

Shoqata “Për një jetë më të mirë ZANAFILLA”

Kryetar: Genti Lasku

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Popular Articles