Këngëtari i njohur Ermal Meta ka ndarë një rrëfim emocional gjatë podcastit “Inspire” me Alketa Vejsiun, ku ka folur për jetën e tij, fëmijërinë, emigrimin dhe familjen, duke prekur thellë edhe momentet më personale të jetës së tij.
Meta ka treguar për dy vajza shqiptare që sot jetojnë me të, të cilat i ka njohur fillimisht në Shqipëri në një qendër sociale të quajtur “Shtëpia Rozalba”. Ai rrëfeu se takimi me to i ndryshoi mënyrën e të parit të jetës dhe e bëri të kuptonte më fort ndjenjën e përgjegjësisë dhe dashurisë.
“Kur shkova atje u ndjeva shumë keq nga njëra anë. Kuptova që jeta ime kishte një privilegj shumë të madh,” u shpreh ai, duke shtuar se marrëdhënia me vajzat u zhvillua gradualisht deri në vendimin për të jetuar bashkë.
“Nuk dua duartrokitje. Nuk dua as ta tregoj. Jam nga ata njerëz që mendojnë se gjërat e mira duhet të mbahen për vete,” tha Meta, duke theksuar se nuk e konsideron veten hero për vendimet që ka marrë.
Në intervistë, ai u ndal edhe te vajza e tij Fortuna, duke rrëfyer një nga momentet më të vështira të jetës së tij, lindjen e saj në kushte emergjente. “E shpëtuam për një minutë,” kujtoi ai, duke e përshkruar atë natë si një nga më të vështirat e jetës.
Ermal Meta foli gjithashtu për fëmijërinë e tij mes Shqipërisë dhe Italisë, emigrimin në moshë të vogël dhe vështirësitë e përshtatjes mes dy kulturave.
“Kur u ktheva pas një viti isha shumë italian këtu dhe shumë shqiptar atje,” tha ai, duke theksuar se identiteti i tij është formuar mes dy botëve.
Ai u ndal edhe te rruga drejt suksesit në muzikë, duke treguar orët e gjata të punës dhe përkushtimit. “Kam pasur një vullnet të tmerrshëm. Diferencën e bën sa punon,” u shpreh këngëtari.
Sot, si një nga artistët më të suksesshëm në Itali, Meta thotë se ajo që e mban më shumë të fortë është familja, të cilën e cilëson si thelbin e gjithçkaje në jetën e tij.




