Claudia Cardinale, aktorja magjepsëse italiane që mishëroi epokën e artë të kinemasë europiane, ka ndërruar jetë në moshën 87 vjeç.
E njohur për rolet e saj ikonike, Claudia Cardinale ndërroi jetë në Nemours të Francës, me fëmijët e saj të pranishëm.
Cardinale ishte një aktore shumë e njohur edhe në Shqipëri pasi ajo ka luajtur disa nga filmat më të famshëm të viteve 1960 dhe 1970, duke magjepsur audiencën anembanë globit me shikimin joshës që bëri për vete regjizorët më të mirë të europës.
Ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli e quajti atë “një nga aktoret më të mëdha italiane të të gjitha kohërave” dhe mishërimin e “hirit italian”.
Jeta dhe karriera mes vështirësish e ikonës së kinemasë italiane
E lindur në Tunizi në vitin 1938 nga prindër sicilianë, Cardinale u rrit duke folur frëngjisht, arabisht dhe sicilianisht dhe dikur e përshkroi fëmijërinë e saj në vendin e Afrikës së Veriut si një “epokë të artë” të mbushur me “momente magjike”.
Karriera e Cardinales drejt famës nuk ishte aspak tipike. Jeta e saj ndryshoi në moshën 16 vjeç kur fitoi një konkurs bukurie, duke fituar titullin “gruaja më e bukur italiane në Tunis”. Çmimi ishte një udhëtim në Festivalin e Filmit në Venecia, ku regjisorët dhe producentët panë menjëherë potencialin e saj. Kjo ishte “bileta” e saj për në Festivalin e Filmit në Venecia dhe çoi në shfaqjen e saj në më shumë se 100 filma gjatë pesë dekadave.
Vitet e saj të para si aktore u shënuan nga vështirësi të thella personale. Si adoleshente, ajo u përdhunua dhe mbeti shtatzënë. Një mentor e nxiti të lindte fshehurazi në Londër dhe për vite me radhë, ajo e rriti djalin e saj, Patrick, duke e prezantuar atë para publikut si vëllain e saj më të vogël. Ajo u përball gjithashtu me sfida profesionale, pasi theksi i saj frëngjisht-arabisht shihej si një pengesë, duke bërë që zëri i saj të dublohej në filmat e saj të hershëm italianë.
Claudia Cardinale është më e njohur për punën e saj në filmat të Federico Fellinit, “Leopardi” të Luchino Viscontit dhe “Na ishte një herë në Perëndim” të Sergio Leones.
Cardinale punoi me regjisorë të shquar në të gjithë Evropën dhe Hollyëoodin, dhe luajti përkrah aktorëve, përfshirë Marcello Mastroianni, Burt Lancaster, Alain Delon dhe Henry Fonda. Ajo gjithashtu fitoi vlerësime kritike për performancat e saj në teatër.
Karriera e saj u zgjerua shpejt në Hollyëood , ku luajti përballë legjendave si Henry Fonda dhe Charles Bronson në hite të tilla si “The Pink Panther” dhe “Once Upon a Time in the West”. Gjatë gjithë jetës së saj, ajo u cilësua si “mishërimi i shkëlqimit evropian të pasluftës”.
Claudia Cardinale vazhdoi të luante në ekran deri në të 80-at, me rolin e saj të fundit në serialin televiziv zviceran Bulle të vitit 2020. Ajo la pas djalin e saj, Patrick, dhe një vajzë, Claudia, të cilën e kishte me partnerin e saj prej kohësh, regjisorin Pasquale Squitieri.
Claudia Cardinale, një avokate e të drejtave të grave
Cardinale përshkruhej shpesh si një nga tre ikonat e mëdha të Italisë së pasluftës, së bashku me Sophia Loren dhe Gina Lollobrigida .
Ajo mori çmime për arritje gjatë gjithë jetës nga festivalet e filmit të Venedikut dhe Berlinit dhe u emërua ambasadore e vullnetit të mirë të UNESCO-s në vitin 2000 për mbrojtjen e të drejtave të grave.
Si ambasadore e UNESCO-s dhe mbështetëse e lëvizjeve #MeToo dhe Time’s Up, ajo bëri fushatë për liri, pavarësi të grave, duke folur për përdhunimin e saj në fillim të karrierës së saj.




