Thursday, April 16, 2026
spot_img
spot_img

Related Posts

Dhuratat nuk duhet të bëhen garë! Çfarë po na mëson gabim showbiz-i për dashurinë – dhe pse duhet të shqetësohemi

Sot do flasim për dashurinë. Jo për atë dashurinë e ndërlikuar, që rritet ngadalë, që jeton në heshtje, që shkruhet në letra të verdha nga koha. Jo. Sot flasim për dashurinë e re – atë që matet me sasi, që shkon 20 milionë lekë të vjetra dhe shitet me një postim në Instagram.
“Faleminderit” gazetarit Ronaldo Sharka që na ndriçoi. Jo me ndonjë investigim, jo me ndonjë analizë të thelluar të krizës ekonomike apo jetës së vështirë të rinisë shqiptare. Jo, përkundrazi. Na dha një leksion dashurie. Dhe më konkret s’e bënim dot: 10 mijë trendafila, nga 2 mijë lekë copa, dërguar në Palasë. 20 milionë lekë. Dashuri në pakicë.
Pastaj na thotë dhe me shumë dashamirësi:
Nëse herës tjetër merrni më pak se 10 mijë trëndafila, as mos i postoni ato buqetat e lodhura. Flm.
Ah, faleminderit ty Ronaldo, për këtë thirrje fisnike! Se ne këtu, populli i zakonshëm, ishim keqkuptuar. Na kishin gënjyer filmat, librat apo këngët. Mendonim që dashuria është edhe te një lule që e ke mbledhur nga bahçja e shtëpisë. Te një fjalë e mirë. Te dikush që të pret pas pune me një drekë të ngrohtë, jo me 10 mijë trëndafila e faturë të majme.
Por jo. Dashuria qenka një konkurs. Dhe fitorja jepet me buqeta XXL dhe lokacione luksoze.
Ky është humori tragjik i ditëve tona. Në vend që figura publike të përdorin ndikimin e tyre për të promovuar ndjenja të vërteta, respektin, përpjekjen, ato promovojnë fjalë për fjalë konsumizmin emocional. Dashuria shndërrohet në një garë e shëmtuar për like, për klikime dhe për buqeta gjithnjë e më të mëdha – derisa të mbulojnë realitetin bosh poshtë tyre.
Por e vërteta është kjo: Një lule e vetme, në dorën e duhur, ka më shumë vlerë se një mal me lule që vjen vetëm për fotografi.
Sepse nuk është numri që ka rëndësi. Është mendimi, përkujdesja, përkushtimi. Nuk është vendndodhja luksoze, por vendi që dikush zë në jetën tënde. Nuk është çmimi i dhuratës, por vlera që i jep dashuria që e shoqëron.
Ronaldo, herën tjetër që të duash të japësh këshilla për dashurinë, ndoshta shko më mirë te ndonjë libër, ndonjë këngë të vjetër, ndonjë çift që ka 40 vjet bashkë – jo te numërimi i trendafilave.
Se dashuria, për fat të mirë, s’ka nevojë për faturë.

Dhe le ta themi troç: askush nuk duhet të ndjejë turp të ndajë një dhuratë të thjeshtë, qoftë edhe një luledele.
Dashuria nuk ka format. Nuk vjen vetëm në kuti me fjongo dhe as në formën e një buqete. Ajo vjen në mënyrën si të dëgjon dikush, si të mendon, si të përkujdeset për ty – edhe kur nuk ka shumë për të dhënë.
Mos lejoni që mesazhe të tilla t’ju bëjnë të ndiheni më pak.
Mos e matni dashurinë me trëndafila, euro apo kilometra të bërë për një surprizë. Mateni me ndjenjë. Me përkushtim. Me sinqeritet. Dhe mbi të gjitha, jeni të lirë të postoni çfarë të doni, nëse ajo ka kuptim për ju.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Popular Articles