Një incident duket se ka ndodhur gjatë një koncerti të Dua Lipës në Malajzi, ku një nga fansat e saj ka raportuar se ka pësuar lëndime serioze nga një tub metalik piroteknik. Koncerti, pjesë e turneut “Radical Optimism” të këngëtares britanike, u mbajt në Axiata Arena në Kuala Lumpur më 23 dhe 24 nëntor. Sipas postimit të bërë nga i lënduari në Reddit, tubi piroteknik e ka goditur atë në kokë gjatë shfaqjes, duke shkaktuar dëmtime që kërkuan trajtim mjekësor të menjëhershëm, përfshirë shtatë qepje dhe një skanim të trurit.
Në postimin e tij, fansi e përshkruan incidentin dhe shprehet se dy individë, të cilët ai pretendon të jenë përfaqësues të organizatorëve, i paguan faturën mjekësore që arrinte vlerën e 2712 ringit malajzian (rreth 480 paund). Megjithatë, ai ka kërkuar kompensim për dëmin dhe shqetësimet që ka pasur gjatë ngjarjes, duke përfshirë biletat e koncertit, fluturimin dhe akomodimin, ndërsa ka theksuar se nuk dëshiron të dëmtojë imazhin e Dua Lipës, por vetëm të marrë një shpërblim të drejtë për këtë përvojë të frikshme.

Më tej, ai shpjegoi se, pas incidentit, një person nga ekipi i koncertit kishte kërkuar që ai të fshinte postimin e tij, por ai refuzoi. Ai gjithashtu nuk pranoi ndihmën për të shkuar në hotel, duke thënë se do të konsultohej me ambasadën dhe me një avokat para se të merrte ndonjë vendim tjetër.
Një përfaqësues i Live Nation, agjencia që menaxhon turneun, ka konfirmuar se janë duke bërë një hetim të plotë në lidhje me incidentin dhe po kërkojnë informacione të detajuara nga furnizuesin që ishte përgjegjës për piroteknikët. Ata gjithashtu i kanë shprehur dëshirën për një rikuperim të shpejtë të të lënduarit.
Ky incident nuk është hera e parë që këngëtarja përballet me probleme të tilla. Në korrik 2022, gjatë një koncerti në Toronto, një grup fansash ndezën fishekzjarre pa leje, duke shkaktuar panik dhe lëndime tek disa të pranishëm.
Pas asaj ngjarje, Dua Lipa kërkoi falje publike dhe siguroi fansat se siguria e tyre ishte gjithmonë prioriteti i saj, duke shtuar se një hetim mbi ngjarjen ishte në zhvillim.
Pavarësisht incidenteve, Dua Lipa vijon turneun e saj, i cili do të zgjasë deri në tetor 2025, dhe shpreson që të sigurohet një mjedis sa më i sigurt për të gjithë ata që e ndjekin.





