Jonida Davokshi ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale një dedikim prekës për të atin e ndjerë, duke publikuar një fotografi bardhezi nga fëmijëria, ku shfaqet e vogël në krahët e tij.
Përmes disa rreshtave të ndjerë, Jonida ka rikthyer në kujtesë momentet e vështira të dy viteve më parë, kur i ati ndodhej në koma dhe ajo përjetonte frikën e madhe se mund ta humbiste përgjithmonë.
“Në këtë foto jam 3 vjeçe, e vogël, e sigurt në krahët e tu, pa e ditur se një ditë do të jepja gjithçka vetëm për të të përqafuar edhe një herë të vetme”, shkruan ajo, duke shprehur mallin e pamatë për njeriun e shtrenjtë.
Jonida kujton se si dy vite më parë, ndërsa i ati luftonte për jetën, ajo përballej me ditët më të vështira të jetës së saj, mes frikës, ankthit dhe pasigurisë për të ardhmen.
“Koha nuk i lehtësoka dhimbjet, thjesht të bën të mësohesh me një mungesë që sa vjen e bëhet më e madhe”, shprehet ajo, duke prekur me fjalët e saj këdo që ka përjetuar humbjen e një njeriu të dashur.
Në fund të dedikimit, Jonida shpreh dëshirën e dhimbshme për t’u kthyer pas në kohë, në atë periudhë kur ishte vetëm një vajzë e vogël dhe e kishte të atin pranë.
“Ahhhhh, sa do të doja të isha sërish kjo vajza e vogël, që të kishte ty pranë dhe të mos dija asgjë për dhimbjen e humbjes”, përfundon ajo.




