Sezoni i ri televiziv pritet të sjellë ndryshime në “Portokalli”, ndërsa një prej tyre lidhet pikërisht me drejtimin e spektaklit të humorit në Top Channel.
Bëhet fjalë për Agron Llakajn, një prej figurave më të njohura të humorit shqiptar dhe një emër i lidhur ngushtë me historinë e “Portokalli”. Sipas informacioneve të siguruara nga “Loki magazine”, pas 16 vitesh nga largimi i tij, Llakaj pritet të rikthehet këtë sezon në program, këtë herë sërish në drejtimin e tij.
Një rikthim i tillë do ta sillte Agron Llakajn përsëri në formatin ku për vite me radhë ishte një prej figurave kryesore, si në moderim, ashtu edhe përmes personazheve të tij në skenë.
Pikëpyetja që mbetet lidhet me Salsano Rrapin, të cilit prej vitesh i është besuar drejtimi i “Portokalli”. Ende nuk dihet nëse ai do të vazhdojë të jetë pjesë e moderimit dhe do ta drejtojë spektaklin në bashkëpunim me Llakajn, apo sezoni i ri do të sjellë një formulë tjetër.
Deri në prezantimin zyrtar të sezonit të ri, detajet për mënyrën se si do të organizohet drejtimi i programit mbeten për t’u zbuluar.
Ajo që pritet të përbëjë një prej risive më të mëdha është rikthimi i Agron Llakajt në “Portokalli”, 16 vite pas largimit.




