Dasma e shumëpërfolur mes këngëtares shqiptare Dua Lipa dhe aktorit britanik Callum Turner duket se do të zhvillohet më herët nga sa ishte planifikuar fillimisht. Sipas mediave italiane, çifti pritet të martohet në Palermo mes datave 5 dhe 7 qershor, edhe pse ceremonia ishte përfolur për muajin shtator.
Raportohet se Dua Lipa ka mbërritur së fundmi në Palermo në mënyrë diskrete për provat e fundit të fustanit të nusërisë dhe për organizimin final të ceremonisë. Sipas burimeve, çifti dhe të ftuarit VIP do të akomodohen në Villa Igiea, ndërsa ceremonia kryesore pritet të zhvillohet në Villa Valguarnera, një nga rezidencat më luksoze historike në zonën e Bagherias.
Në listën e të ftuarve përfliten emra të njohur të muzikës botërore si Elton John, Mark Ronson, Charli XCX dhe Olivia Dean. Madje, mediat italiane shkruajnë se Elton John mund të jetë edhe dëshmitar në dasmë dhe të performojë gjatë festës. Organizimi i eventit po mbahet tepër sekret, ndërsa autoritetet lokale thuhet se po studiojnë masa sigurie dhe kufizime të përkohshme të trafikut në disa zona të qytetit.
Rikujtojmë se Dua Lipa, ka ngritur një padi kundër gjigantit teknologjik Samsung Electronics, duke kërkuar 15 milionë dollarë dëmshpërblim. Sipas pretendimeve të saj, imazhi i artistes është përdorur pa autorizim në paketimet e disa modeleve televizorësh, duke shkelur të drejtat e saj të imazhit dhe pronësisë intelektuale.
Nga ana tjetër, Samsung ka hedhur poshtë akuzat për përdorim të qëllimshëm të fotografisë. Në reagimin e saj zyrtar, kompania sqaron se materiali vizual është përdorur bazuar në garancitë e një partneri të jashtëm, i cili kishte konfirmuar se të gjitha lejet e nevojshme për përdorim tregtar ishin marrë më parë.





