Në puntatën e fundit të emisionit “Goca dhe Gra”, në studio ishte e ftuar Erzina, bashkëshortja e reperit MC Kresha, e cila iu bashkua panelit të diskutimeve për një temë që shpesh ndez debate: marrëdhëniet mes ish-partnerëve pas ndarjes.
E vendosur përballë moderatoreve dhe këngëtares Rozana Radi, Erzina ndau mendimin e saj të drejtpërdrejtë, duke thënë se në shumicën e rasteve, kur një lidhje përfundon dhe nuk ka fëmijë në mes, nuk ka arsye për të mbajtur kontakte të afërta me ish-in. Sipas saj, mjafton një përshëndetje rastësore kur rrugët kryqëzohen, ndërsa komunikimi i vazhdueshëm nuk është i nevojshëm. Ajo theksoi se situata ndryshon vetëm kur ka fëmijë, pasi atëherë komunikimi bëhet i domosdoshëm.
Të njëjtin qëndrim ndau edhe Rozana Radi, e cila u shpreh se një histori, kur mbyllet, duhet të mbetet e tillë, duke vënë në dukje se shpesh nuk ka logjikë të vazhdohet kontakti me ish-partnerin, sidomos kur secili ka ndërtuar jetën e tij.
Gjatë emisionit, Rozana e mirëpriti Erzinën në studio me fjalë vlerësuese, duke e quajtur një prani të këndshme në panel.
“Kënaqësi që kemi sot në studio një zonjë që na është bashkuar në ‘Goca dhe Gra’”, u shpreh ajo gjatë transmetimit.
Pjesëmarrja e Erzinës në këtë episod vjen pas një interviste të saj të mëparshme, ku ajo kishte shprehur dëshirën për të qenë pjesë e panelit të emisionit.
Interesant është fakti se vetëm një javë më parë në të njëjtën studio kishte qenë i ftuar edhe MC Kresha, ku u diskutua edhe për lidhjet e kaluara dhe raportet personale.





