Pasioni për bukurinë, risitë në estetikë dhe përkushtimi ndaj kujdesit personal marrin jetë në ngjarjen më të madhe të industrisë së bukurisë në vend “Beauty Fair Albania 2025”, që do të zhvillohet për tre ditë në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Për të 7-të vit radhazi, “Beauty Fair” sjell së bashku profesionistët më të mirë të fushës së bukurisë, brendet ndërkombëtare dhe shqiptare, si dhe të apasionuarit pas trendeve më të fundit në kujdesin personal, make-up, trajtime estetike, produkte natyrale dhe teknologji kozmetike.
Organizatorja e Beauty Fair Isida Mollaymeri, ka treguar më shumë detaje për panairin më të madh të bukurisë në Shqipëri.
“Jam shumë mirënjohëse sepse nëse ne jemi sot këtu dhe nëse ‘Beauty Fair’ ka dy kate, është vetëm falë atyre, të gjithë ata që investojnë dhe janë kaq të rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë, dhe të gjithëve ju japin gjëra cilësore. Nuk jemi më si dikur që nuk kishim asgjë, tani ka gjithçka. Jam shumë e lumtur që Beauty Fair rritet çdo ditë bashkë me mua. Ky është viti i 7 dhe unë jam shumë e lumtur dhe e them dhe jam mirënjohëse të gjitha brendeve. Pa ata nuk do të ishte Beauty Fair. Këtë vit janë 275 brende, janë shqiptare, të huaja, kam një nga Monaco, kam nga Maqedonia si gjithmonë, nga Kosova, Serbia brende. Jam shumë e lumtur që Beauty Fair rritet çdo ditë me një gamë të gjerë produktesh”, thotë Isida Mollaymeri.
Nga data 23 maj deri më datë 25 maj vajzat dhe gratë do të kenë mundësi që të përfitojnë produktet e bukurisë me ulje.
“Për vajzat shqiptare kam vetëm një mesazh, bravo u qoftë, janë shumë të kuruara në çdo moment, dinë të zgjedhin, dinë se çfarë duan dhe jam shumë e lumtur që presin Beauty Fair për të marrë produktet me ulje. Beauty Fair do të zgjasë me 23-24-25 nga ora 9 e mëngjesit deri në 9 të darkës”, shprehet ajo.
Në Beauty Fair Albania 2025 do të zhvillohen shumë evente të ndryshe; seminare, Workshop-e, intership, makeup tutorial, prezantime produktesh të reja, prezantime të makinerive mjekësore dhe estetike si dhe trajnime profesionale për estetistë.
Nga: “Beauty Fair Albania 2025”, panairi më i madh i bukurisë në Shqipëri hap siparin



