Moment historik për Shqipërinë, Lara Colturi rrëmben Kupën e Botës në Ski Alpine

0
9

Lara Colturi shkroi historinë për Shqipërinë duke i dhuruar vendit fitoren e parë në historinë e Kupës së Botës në Ski Alpine, pas një paraqitjeje të shkëlqyer në garën e slalomit për femra në Gurgl të Austrisë.
Pas nëntë podiumeve të arritura në Kupën e Botës në Ski Alpine, përfshirë edhe rastin kur humbi vendin e parë me vetëm 0.01 sekonda në garën hapëse të sezonit muajin e kaluar në Sölden, fitorja e shumëpritur në Kupën e Botës më në fund erdhi për Colturin.

“Për momentin, mezi marr frymë që të flas, por gjithçka më duket e pabesueshme”, u shpreh 20-vjeçarja pas garës.
“E realizuam atë që kishim planifikuar dhe ky rezultat është diçka shumë e madhe për të gjithë”.
Colturi regjistroi kohën e përgjithshme 1:45.47, duke siguruar fitoren me një diferencë prej 0.27 sekondash nga suedezja Sara Hector, e cila u ngjit nga vendi i shtatë pas zbritjes së parë në vendin e dytë.
Podiumin e plotësoi suedezja Anna Swenn Larsson, e cila kryesonte pas zbritjes së parë dhe përfundoi në vendin e tretë, vetëm 0.30 sekonda pas skiatores shqiptare.
Rezultati shënon një arritje historike për skijimin shqiptar.
Podiumet e mëparshme të Colturit, gjashtë në slalom dhe tre në slalom gjigant, e kishin pozicionuar tashmë Shqipërinë mes 25 vendeve më të suksesshme në historinë e Kupës së Botës në këtë sport.
“Është e çmendur. Jam jashtëzakonisht e lumtur, sepse skijimi alpin po bëhet gjithnjë e më i njohur në Shqipëri”, vijoi ajo.
“Jam e lumtur që njerëzit po e ndjekin gjithnjë e më shumë këtë sport atje, si dhe në vende ku ai nuk është pjesë e kulturës së tyre. Po bëjmë gjëra të jashtëzakonshme dhe po ecim në drejtimin e duhur”.
Kjo ditë historike për Shqipërinë ishte një sukses i përjetuar nga e gjithë familja. Prindërit e saj, kampionia olimpike në disiplinën Super-G, Daniela Ceccarelli, dhe trajneri i skive Alessandro Colturi, ishin të pranishëm për ta ndjekur nga afër garën e saj në Gurgl. Edhe vëllai i Larës, Yuri, pati rolin e tij, duke shërbyer si skiatori i parë që testoi pistën përpara garës. Një detaj që duket se i solli fat motrës së tij të madhe.
“Dua të falënderoj të gjithë njerëzit që më qëndrojnë pranë, familjen time dhe vëllain tim, i cili më ndihmoi sot”, u shpreh ajo.
“Është një moment i veçantë. Javën e kaluar ishte ditëlindja ime dhe së shpejti është edhe ditëlindja e vëllait. Prindërit e mi janë këtu, ndaj do ta festojmë së bashku”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here