Pas reagimit të aktorit Irgen Çela, i cili sqaroi se skeçi i “Portokallisë” nuk kishte për qëllim të ofendonte qytetarët që protestojnë, edhe drejtuesi i programit, Agron Llakaj, ka folur për polemikat që pasuan transmetimin.
Llakaj, i cili është rikthyer në “Portokalli” pas 16 vitesh, tha në një deklaratë për Top Channel se personazhet e sjella në skeç ishin frymëzuar nga situata dhe njerëz që, sipas tij, ishin bërë tashmë virale gjatë protestave.
“Ato personazhe që ne ngritëm në protestën tonë në ‘Portokalli’ janë personazhe që u bënë virale. U bënë meme po aty në protestë. Edhe me njerëz që kanë abuzuar me protestën duke sjellë skena qesharake. Kjo ka qenë dhe nuk ka asnjë qëllim tjetër”, u shpreh Llakaj.
Duke iu përgjigjur kritikave se skeçi kishte fyer protestuesit, drejtuesi dhe moderatori i “Portokallisë” mohoi se ky ka qenë qëllimi i humorit.
“Ne nuk shajmë askënd, nuk fyejmë askënd, jo më protestën dhe atë që përfaqëson ajo. Ne jemi artistë të humorit, prodhojmë humor duke përcjellë mesazhe”, tha ai.
Llakaj iu referua edhe një shprehjeje të Konicës për të shpjeguar këndvështrimin e tij mbi lirinë e shprehjes dhe satirën.





