Ish-konkurrentja e “Për’puthen”, Katerina Goga, ka folur sërish për marrëdhënien e saj me Arnold Damazetin, vetëm pak ditë pasi ishte e ftuar në Prive By LS, ku rrëfeu në detaje për historinë mes tyre dhe çështjen e testit të ADN-së.
Këtë herë, Katerina ishte e ftuar në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, ku zbuloi një zhvillim të ri në raportin me Arnoldin. Ajo tha se tashmë janë pajtuar dhe se komunikimi mes tyre është rikthyer.
“Jemi pajtuar, ta them kështu”, u shpreh Katerina, duke treguar se gjatë muajve të fundit ata kishin vazhduar të komunikonin, edhe pse marrëdhënia e tyre kishte kaluar nëpër vështirësi të shumta.
Sipas saj, Arnoldi kishte pasur vështirësi të shprehej dhe kishte pasur nevojë për kohë për të kuptuar ndjenjat e tij. Katerina tregoi se para dy ditësh ai i kishte dërguar një mesazh të gjatë, ku kishte reflektuar për marrëdhënien e tyre dhe për sakrificën që ajo kishte bërë duke sjellë në jetë vajzën e tyre.
“Ai një herë shprehet, nuk shprehet kollaj”, tha Katerina, duke treguar se mesazhi i tij e kishte prekur shumë.
Ndërkohë, duke folur për raportin e tyre sot, Katerina tha se nuk bëhet fjalë vetëm për komunikim, por për një rikthim të lidhjes që kishin.
“Jemi rikthyer te lidhja që kishim. Një lidhje shpirtërore që e kuptojmë vetëm ne, jemi paranormalë ne të dy”, u shpreh ajo.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pas rrëfimit të Katerinës në “Prive By LS”, ku ajo kishte folur për rikthimin e komunikimit me Arnoldin dhe kishte treguar se testi i ADN-së, i diskutuar publikisht prej muajsh, ende nuk ishte kryer.




