Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka reaguar publikisht pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Përmes llogarisë së saj zyrtare në Instagram, artistja ka shpërndarë mesazhe domethënëse duke ripostuar përmbajtjet e publikuara nga babai i saj, Dukagjin Lipa, për t’i përcjellë ato te dhjetëra miliona ndjekësit e saj ndërkombëtarë.
Në njërën nga fotot e ripostuara, Dua Lipa ka shpërndarë logon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të vendosur mbi një sfond të kuq, e shoqëruar me vashën e njohur #LIRIAKAEMER.
Përveç kësaj, ajo ka publikuar edhe një grafikë sensibilizuese nga “Image of Kosovo”, e cila rikujton çmimin e lartë dhe pasojat e rënda të luftës në Kosovë: 1 milion refugjatë, 11 mijë të vrarë, 1,024 fëmijë të vrarë, 20 mijë të dhunuar dhe 1,600 persona që ende figurojnë të pagjetur.
Kjo dalje publikisht shërben si një thirrje ndërgjegjësimi për opinionin botëror lidhur me historinë e dhimbshme të Kosovës dhe luftën e popullit të saj për liri e drejtësi.





