Një prej raporteve më të komplikuara të rep-skenës shqiptare duket se ka marrë një kthesë të papritur.
Stresi dhe Cllevio duket se kanë lënë pas konfliktet e viteve të fundit, teksa reperi është përfshirë përmes një telefonate në transmetimin “live” të Cllevios.
Momenti merr tjetër peshë kur kujtohet historia e gjatë mes dyshes. Para përplasjeve publike, Cllevio dhe Stresi kishin një miqësi shumëvjeçare, ndërsa Cllevio ka rrëfyer më herët se kishin kaluar një periudhë së bashku edhe në Bruksel.
Raporti mes tyre nisi të krisej seriozisht në vitin 2022, në periudhën kur Stresi po linte pas konfliktin e tij shumëvjeçar me Noizyn. Përplasja e Cllevios me Noizyn dhe qëndrimi i Stresit në këtë situatë u kthyen në pikën kryesore të ndarjes mes dy miqve.
Në korrik të atij viti situata degradoi në ofendime, akuza dhe kërcënime publike mes Stresit dhe Cllevios. Pati edhe një tentativë të shkurtër pajtimi, kur Stresi e vizitoi Cllevion në shtëpi, por paqja zgjati vetëm pak ditë dhe përplasjet rifilluan.
Një tjetër komunikim mes tyre u regjistrua në maj të vitit 2023, kur Cllevio telefonoi Stresin gjatë një transmetimi “live”, por raporti nuk u rikthye në atë që kishte qenë dikur.
Madje, tensionet vazhduan edhe më vonë. Në gusht të vitit 2024, Cllevio fliste publikisht kundër Stresit, ndërsa ky i fundit iu përgjigj me tone të ashpra.
Tani, rreth katër vjet nga shpërthimi i konfliktit të tyre publik, telefonata e fundit duket se sinjalizon një kapitull të ri.
Nga miq të ngushtë, në kundërshtarë publikë dhe tani sërish në komunikim – Stresi dhe Cllevio duket se kanë vendosur t’i lënë pas përplasjet e së kaluarës.




