Vetëm pak ditë pas ndarjes nga jeta të mjekut të njohur pediatër dhe neonatolog, Dr. Edi Tushe, drejtuesja e klinikës “Vera-Virhov”, Genta Dedej, është shfaqur në dy intervista televizive, por daljet e saj nuk janë pritur aspak mirë në rrjet.
Në një moment kur publiku priste që fokusi të ishte te figura e mjekut të ndjerë, kontributi i tij dhe dhimbja për humbjen e tij, Genta ka rikthyer në vëmendje përplasjen e mëparshme mes klinikës dhe influencueses Eliona Pitarka.
Deklarata që ka ndezur më shumë reagime ishte ajo ku ajo u shpreh se Dr. Edi Tushe nuk e kishte lejuar ta çonte Elionën në gjyq “për hir të fëmijëve”. Por nuk u ndal vetëm këtu. Genta la të kuptohej, sipas versionit të saj, se përplasja me Elionën e kishte goditur rëndë mjekun edhe shpirtërisht, duke e paraqitur këtë histori si një barrë që ai e kishte mbajtur gjatë.





